Leonard Hida, kryebashkiaku socialist i Libohovës është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Gazetarja Klodiana Lala pohoi për BalkanWeb se Hida dyshohet se në kohën qe ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.
“Nisur nga të dhënat që disponohen nga shërbimet si dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në njësitë administrative “Cepo” dhe “Picar” krijojnë dyshime të arsyeshme se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet janë implikuar edhe punonjës policie.
Ata kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”. Në të njëjtën dosje me Hida janë edhe disa të pandehur të tjerë.