Gjykata e Tiranës ka dënuar sot me 2.6 vite burg, Alda Klosin dhe me 7 vite sanitaren e saj, Rozeta Dobi pasi në banesën e kësaj të fundit u gjetën të fshehura 500 mijë euro. Ndërsa për djalin e sanitares, gjykata vendosi dënim me 5 vite burg por të tre përfituan nga gjykimi i shkurtuar. Në seancën gjyqësore Rozeta Dobi shprehu pendesë për atë që ka ndodhur.
“Kërkoj mëshirë, kërkoj falje. Shumën e parave mi dha Alda Klosi për ti mbajtur disa kohë në shtëpinë time më pas t’ia ktheja. Kam punuar gjithë jetën me punë të ndershme jo të bëj vjedhje. Klosi më tha mbaj lekët, se donte të fajësonte bashkëshortin për vjedhje”, tha ajo.
Kujtojmë se ngjarja u zbulua në janar 2023 , ku në pranga ranë të tre personat, mes tyre edhe ish-zyrtarja Klosi. Rozeta Dobi akuzohet për vjedhje me pasoja të rënda dhe vjedhje më shumë se njëherë, Havier Dobi akuzohet për vjedhje me pasoja të rënda dhe Klosi për fshehje të pasurisë.