Vrasja për 600 euro borxh/ Mbrojti me trup fëmijët nga atentati, arrestohen autorët e krimit në Greqi

Përplasja me armë zjarri mes shqiptarëve në Agios Sostis, tronditi publikin në Greqi. Edmond Llangozi, 53 vjeç, ndërroi jetë pasi mbrojti me trup dy djemtë e tij nga i ashtuquajturi “Soni i Lezhës”, i cili i qëlloi pa mëshirë për 600 euro që i kishin marrë borxh.

Përveç të atit që ndërroi jetë në vend, dy djemtë e tij mbetën të plagosur, ndërsa kamarieria e lokalit mori një plumb në këmbë.

Ndërkaq, sot mësohet se autorët e vrasjes së Edmond Llangozit, janë vënë në pranga nga policia greke. Një shqiptar dhe një grek, u dërguan në GADA dhe gjatë ekzaminimit të tyre ata pranuan krimin që kishin kryer. Një tjetër 31-vjeçar është në kërkim në të njëjtën çështje. Motivi i vrasjes ishin mosmarrëveshjet financiare që autorët kishin me djemtë e viktimës.

Autorët, dyshohen se kanë marrë pjesë dhe në një tjetër vrasje dhe rrëmbimi në tentativë kundër një 41-vjeçari. Kjo ngjarje ndodhi në Mars 2020 në plazhin Eden në Paleo Faliro.

Si ndodhi vrasja e shqiptarit? 

Borxhi prej 600 eurosh ishte nisma e gjithë konfliktit. Ditën e ngjarjes, më 11 janar, njëri prej djemtë e viktimës do t’i kthente shumën e parave personave që ua kishte marrë. Grupi i autorëve në fjalë drejtohej nga shqiptari me origjinë nga Lezha.

Autorët kishin lënë vendin e takimit përballë një kafeneje pranë shtëpisë së tyre. Dëshmitë e dy djemve të viktimës kanë ndihmuar hetuesit grekë për të qartësuar dinamikën e ngjarjes. Sapo njëri prej djemve ka shkuar për të dorëzuar paratë, njëri prej personave që shoqëronte autorin e dyshuar i ka zënë pritë duke e goditur dhe ofenduar.

Këtu ndërhyn edhe djali i dytë i Edmond Llangozit për të shuar debatin. Por në atë moment, është afruar me pistoletë në dorë 32 vjeçari shqiptar nga Lezha, i njohur si “Soni”. Ky i fundit ka qëlluar disa herë në drejtim të dy vëllezërve Llangozi. Pikërisht në këtë moment, për të shpëtuar djemtë, Edmond Llangozi i del para autorit, por 32 vjeçari e qëllon për vdekje.

Duke mos u mjaftuar me kaq, ai ka qëlluar sërish me pistoletë ndaj dy vëllezërve Llangozi dhe nënës së tyre. Me plagë në trup mbetën edhe Anxhelo dhe Mihal Llangozi.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *