Presidenti rus Vladimir Putin ka mbajtur një fjalim pas sulmit të rëndë terrorist në sallën e koncerteve në qytetin Crocus në Moskë. Sulmi, i cili konsiderohet si më vdekjeprurësi në Rusi që nga rrethimi i shkollës në Beslan në 2004, ka lënë pas 115 viktima dhe qindra të plagosur. Vladimir Putin ka falënderuar shërbimet e urgjencës dhe shërbimet speciale për përpjekjet e tyre pas sulmit.
Ai tha se sulmuesit u përpoqën të arratiseshin drejt Ukrainës dhe siguria është forcuar si përgjigje. Ndërsa 24 marsi është shpallur ditë zie. Putin deklaroi se të gjithë sulmuesit janë gjetur dhe tani janë arrestuar.
“Të gjithë përgjegjësit do të ndëshkohen”, thotë presidenti.
“Armiqtë tanë nuk do të na përçajnë”, shton Putin.
Kreu i shtetit rus e ka quajtur sulmin në sallën e koncerteve një “akt terrorist barbar”. Edhe pse nuk specifikoi sa persona ishin përgjegjës, më herët u raportua se ishin arrestuar 11 persona, 4 prej të cilëve kishin marrë pjesë drejpërdrejt në sulm.