Nga sot të rriturit gjermanë mund konsumojnë deri 25 gramë kanabis në mjedise publike. Sipas hapit të parë në ligjin e ri shumë të debatuar, të rriturit mbi 18 vjeç tani lejohen po ashtu edhe të kultivojnë deri në tre bimë marijuanë në shtëpi. Ndryshimet e bëjnë Gjermaninë, vendin më të madh të BE-së që legalizon kanabisin, së bashku me Maltën dhe Luksemburgun të cilat legalizuan përdorimin rekreativ në 2021 dhe 2023.Holanda e njohur për qëndrimin e saj lejues ndaj drogës, vitet e fundit ka marrë një qasje më të rreptë për të luftuar turizmin e kanabisit.
Kanabisi mjekësor së shpejti mund të marrë dritën jeshile në Francë. Ndërsa ligji hyn sot në fuqi, qindra njerëz mbrëmë brohoritën nga porta ikonë e Brandenbrug të Berlinit, duke e konsideruar këtë nisëm si liri. Si hap i radhës në reformën ligjore, nga 1 korriku do të mundësohet sigurimi i ligjshëm i barit përmes “klubeve të kanabisit” në vend. Këto shoqata të rregulluara do të lejohen të kenë deri në 500 anëtarë secila dhe do të mund të shpërndajnë deri në 50 gramë kanabis për person në muaj. Deri atëherë, konsumatorët nuk duhet t’i tregojnë policisë se ku e blenë kanabisin e tyre në rast të një kontrolli në rrugë, tha për AFP Georg Wurth, drejtor i Shoqatës Gjermane të Kanabisit.
Qeveria gjermane, një koalicion trepalësh i udhëhequr nga socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz, argumenton se legalizimi do të ndihmojë në frenimin e tregut të zi në rritje për substancën popullore. Por grupet shëndetësore kanë ngritur shqetësimin se legalizimi mund të çojë në një rritje të përdorimit tek të rinjtë, të cilët përballen me rreziqet më të larta për shëndetin. Përdorimi i kanabisit tek të rinjtë mund të ndikojë në zhvillimin e sistemit nervor qendror, duke çuar në një rrezik të shtuar të zhvillimit të psikozës dhe skizofrenisë, kanë paralajmëruar ekspertët. Edhe ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach ka thënë se konsumimi i kanabisit mund të jetë i rrezikshëm, veçanërisht për të rinjtë. Qeveria ka premtuar një fushatë të gjerë informacioni për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet dhe për të nxitur programet mbështetëse. Qeveria ka theksuar se kanabisi do të ndalohet për fëmijët nën 18 vjeç dhe brenda 100 metrave nga shkollat, kopshtet dhe këndet e lojërave