Pesë pasuri me vlerë qindra mijëra euro, janë sekuestruar në Lushnje nga prokuroria. Bëhet fjalë për prona të një emri të njohur prej më shumë se dy dekadash në vendin tonë, i cili u bë më herët edhe objekt i OFL-së.
Ai e dorëzoi aso kohe formularin e vetëdeklarimit, por pak muaj më vonë u vu në pranga në Maqedoni, e për pasojë hetimet ndaj tij dhe pasurive të tij vijuan. Bëhet fjalë për Saimir Taullaun, që bashkë me vëllezërit e tij është bërë i njohur nga ajo përballje e përgjakshme me rivalët e tyre të bandës së Lushnjes. Madje edhe vetë Taullau, ka rënë në prita të organizuara disa herë por ka mundur t‘u shpëtojë.
Tashmë, Prokuroria e Fierit ka urdhëruar policinë e Lushnjes të kyçë 5 prona, të cilat janë të regjistruara në emër të familjarëve të Taullaut. Sipas një njoftimi të shpërndarë për media nga ana e Prokurorisë së Fierit, u bë me dije se u sekuestruan pasuritë e biznesmenit Saimir Taullau dhe të afërmve të tij që i menaxhonin këto prona fiktivisht, po që zotëroheshin në mënyrë të tërthortë nga ai. Në Lushnje familja Taullau njihet si rivale e bandës së Aldo Bares, ndërsa Saimir Taullau. i shpëtoi një atentat mbrëmjen e 24 nëntorit të vitit 2018, pasi dy persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt lokalit, te rrethrrotullimi i Plugut.
Ndër të tjera, bëhet fjalë dhe për 2 pika karburanti një në lagjen “18 Tetori”, lagjen “Loni Dhamo’ të Lushnjës.
PROKURORIA
Prokuroria e Fierit bëri me dije zyrtarisht se mbi bazën e ligjit 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, ka regjistruar dhe po kryen hetime për procedimin pasuror penal nr.1, viti 2024, që bën fjalë për pasuritë në zotërim të shtetasit Saimir Taullau, si dhe të afërmve të tij dhe personat fizikë, konkretisht shtetasve A.T., F. T, M.T., E.T. dhe K.T, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë e tyre zotërohen në mënyrë të tërthortë nga shtetasi Saimir Taullau. Dyshohet se këto pasuri e kanë prejardhjen nga veprimtaria kriminale e shtetasit Saimir Taullau, konkretisht nga veprat penale të parashikuar nga nenet 283 dhe 283/a të Kodit Penal. Në zbatim të vendimit gjyqësor dhe nenit 14 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, është nxjerrë nga prokurori urdhri i ekzekutimit, i cili u është dërguar menjëherë për ekzekutim shërbimeve e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, Tiranë, si dhe Agjencisë Shtetëror të Kadastrës, Drejtoria Rajonale Lushnjë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave, ka në një vëmendje të shtuar në drejtim të veprave penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe të pasurimit të padrejtë, duke përdorur të gjitha mjetet procedurale me qëllim sekuestrimin, konfiskimin dhe kalimin e tyre në favor të shtetit.
PASURITË E SEKUESTRUARA
“Pasuria lloji “truall”, me përshkrimin “Godinë ekonomike 2 kate, karburant dhe ambiente shërbimi”, ndodhur në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, në bashkëpronësi të shtetasve F.T, M.T, E.T dhe K. T. Pasuria e llojit “truall”, e ndodhur në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë. -Objekti i ndërtuar plotësisht në të me vlerë 9.724.582 Lekë, në bashkëpronësi të shtetasve F.T, M.T., E. T. dhe K. T.
Pasuria me sipërfaqe totale ndërtimi 306 m2 me përshkrimin “Godinë ekonomike 1 kt + bodrum”, ndodhur në Plug, Lushnje, në emër të shtetases R. T.
Pasuria e llojit “truall”, me përshkrim të veçantë, shtuar “njësi shërbimi 3 kate + rikonstruksion karburanti ekzistues + pikë gazi. –Ndërtim i murit rrethues e ndodhur në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, në bashkëpronësi të shtetasve M.T, E.T dhe K.T”,- thuhet në njoftimin e prokurorisë.