DW: Samiti i fundit i BE-së pati si fokus kryesor mbështetjen për Ukrainën, por edhe përgatitjen e bllokut për zgjerimin e ardhshëm. Si i shikoni shanset e Shqipërisë në këtë moment për të avancuar në procesin e integrimit?
Silvio Gonzato: Shqipëria ka vërtet potencial për të qenë një nga pararendëset e procesit të anëtarësimit. Besoj se kjo është demonstruar gjatë procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit, një proces ku BE-ja dhe Shqipëria së bashku shikojnë jo vetëm legjislacionin, por gjithë mjedisin rregullator në Shqipëri të krahasuar me standardet e BE-së dhe shohin se ku ka nevojë Shqipëria të bëjë progres për t’i arritur këto standarde.
Gjatë këtij procesi, Shqipëria ka treguar vërtet kapacitet të konsiderueshëm administrativ, e ka kryer procesin me shumë seriozitet, duke përfshirë gjithë palët e nevojshme të interesit, me një përqasje e të gjithë qeverisë dhe shtetit. Pra, hapi i parë ka qenë shumë pozitiv dhe ka lënë një përshtypje shumë pozitive në Bruksel.
Si pasojë e këtij procesi Shqipëria ka ndërmarrë një numër angazhimesh që reflektohen në udhërrëfyes, është një për shtetin e së drejtës dhe një për reformën në administratën publike. Këto janë angazhime të rëndësishme dhe tani është koha për t’i ndjekur dhe për t’u siguruar që Shqipëria të ketë gjithë kushtet e duhura për një rrugëtim të qetë gjatë negociatave.
Kemi nevojë të sigurohemi që Shqipëria ka një historik rezultatesh të qëndrueshëm në këtë drejtim. Është po ashtu e rëndësishme që Kuvendi, kur miraton ligje që mund të diktohen nga emergjenca, nevoja, etj., ta bëjë këtë duke mbajtur parasysh këto angazhime dhe nevojën që ato të përputhen me BE-në, pra të respektojnë standardet e BE-së në këta sektorë.
Në të njëjtën kohë, jam gjithashtu optimist sepse ka një momentum pozitiv edhe nga ana e BE-së. Mendoj se numri i samiteve të zhvilluara, por edhe nëse shikoni miratimin apo procedurat që çuan në miratimin e mekanizmit të rritjes dhe reformave, tregon se Shtetet Anëtare janë gati ta mbajnë premtimin e tyre kundrejt vendeve kandidate dhe Shqipërisë gjithashtu.
Me gjithë situatën shumë të vështirë financiare ku jemi, Shtetet Anëtare vendosën të caktojnë deri në 6 miliardë Euro për Planin e Rritjes dhe Reformave. Disa janë grante, disa janë hua, por megjithatë është një shifër e lartë po të kemi parasysh se BE-ja është angazhuar edhe për zgjidhjen e krizës në Ukrainë nga agresioni rus që ka pasoja shumë të mëdha për kontinentin tonë.
Shpejtësia me të cilën Parlamenti Evropian dhe Shtetet Anëtare kanë arritur marrëveshjen që do të finalizohet së shpejti, një marrëveshje për mekanizmin e rritjes dhe reformave, tregon vërtet se Shtetet Anëtare e kuptojnë se duhet ta ruajmë vrullin dhe të mbajmë premtimin e bërë këtij rajoni.
DW: Për Bashkimin Evropian dhe procesin e zgjerimit, marrëdhëniet e mira mes fqinjve janë një kusht kryesor, por ndërkohë situata në Bosnjë-Hecegovinë vijon të jetë e tensionuar dhe dialogu Kosovë-Serbi nuk ka progres. Sa mendoni se këto situata mund të ndikojnë apo frenojnë edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi?
Silvio Gonzato: Nuk mund të komentoj këtu situatën në Maqedoninë e Veriut, për këtë duhet të pyesni kolegët e mi në Shkup, por sa i takon Shqipërisë, besoj se Shqipëria ka treguar vërtet vendosmëri për të luajtur një rol pozitiv në rajon, një rol stabilizues.
Duke e bërë këtë, është bërë paksa pikë kyçe e nismave rajonale dhe mënyra se si e ka promovuar aktivisht agjendën e rritjes dhe reformave në rajon, tregon vendosmërinë për ta bërë këtë. Mendoj se Shqipëria ka vërtet një rol pozitiv për të luajtur në Ballkan dhe po e bën këtë. Kjo njihet gjithashtu gjerësisht edhe në Bruksel.
DW: Pak më lart ju theksuat fondin prej 6 miliard eurosh të akorduar nga Bashkimi Evropian për Ballkanin Perëndimor që të nxisë reformat në rajon. Sa do të përfitojë Shqipëria nga ky fond? Si do të bëhet monitorimi i tyre?
Ka alokime të përafërta, por ato duhen përpunuar ende, por kjo është risia. Në kuadër të programit IPA nuk ka alokime paraprake sipas vendeve, por në rastin e mekanizmit të rritjes dhe reformave do të ketë një shumë të saktë që do të caktohet për Shqipërinë bazuar te popullsia, PBB për frymë, etj. Por mund edhe të ndryshojë, pasi lidhet me performancën, është e kushtëzuar nga kryerja e disa reformave, që përcaktohen në agjendën e rritjes dhe reformave.
Pra, nëse një vend nuk i përmbush këto angazhime, pagesat ndërpriten dhe këto pagesa mund t’i transferohen një vendi tjetër që po ecën mirë. Pra, krijon pothuaj një mjedis konkurrues, sepse synimi është përshpejtimi i konvergjencës mes rajonit dhe BE-së. Pra, nuk mund ta them në këtë moment, por shifrat që qarkullojnë janë vërtet mbresëlënëse. Janë edhe një mundësi për të nxitur agjendën e anëtarësimit, pasi ky është synimi, përshpejtimi i procesit të konvergjencës rregullatore, por edhe ekonomike dhe sociale mes Shqipërisë dhe BE-së.
Sa u takon sistemeve për monitorimin përdorimit të duhur të këtyre fondeve, së pari, BE-ja ka kryer një vlerësim paraprak të kapacitetit dhe aftësive të vendit për të bërë verifikimet dhe kontrollet e duhura, por edhe agjenda e reformave, ky dokument i nënshkruar mes BE-së dhe Shqipërisë, para dhënies së këstit të parë të fondeve, agjenda e rritjes dhe reformave përmban kushte specifike lidhur me menaxhimin e financave publike, sa u takon kontrolleve dhe auditeve të sistemit, ndaj në njëfarë mënyre, pagesat janë të kushtëzuara nga përmirësimi i kapaciteteve të vendit për të kontrolluar mënyrën se si menaxhohen fondet publike. Përveç kësaj, sigurisht, BE-ja ka të drejtë të kryejë në çdo kohë kontrolle dhe auditime të sistemeve të një vendi për t’u siguruar që paratë e taksapaguesve të BE-së përdoren si duhet këtu në Shqipëri.
DW: Disa ditë më parë ju takuat kreun e SPAK, Altin Dumanin, dhe e konsideruat SPAKU-n si një lojtar kyç në progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit për përmbushjen e standardeve. Si e vlerësoni punën e bërë deri tani nga SPAK dhe çfarë pritshmerie keni për vazhdimin?
Silvio Gonzato: Nuk dua të vendos shumë përgjegjësi mbi supet e zotit Dumani, pasi është SPAK-u që po jep kontribut për progresin e Shqipërisë në agjendën e anëtarësimit dhe arsyeja pse e them këtë, është se siç e dini, një nga elementët e rëndësishëm të negociatave është kapitulli i shtetit ligjor, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që është kyç. Mendoj se SPAK-u po jep një kontribut shumë të madh për këtë dhe kjo rrit besueshmërinë e Shqipërisë dhe vendosmërinë e saj për trajtimin e këtyre fenomeneve.
SPAK-u ka qenë një ndër elementët kyç të reformës në drejtësi. Ne vazhdimisht e kemi përkrahur dhe mbështetur reformën në drejtësi. Ne duam ta shohim atë të zbatohet siç duhet, me efikasitet, ndaj kemi shprehur gjithashtu mbështetjen tonë për SPAK-un ndër vite. Takimi që pata me zotin Dumani ishte pikërisht për të koordinuar më mirë mënyrën se si ne, por edhe Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet anëtare të BE-së, e ndihmojmë SPAK-un të zhvillojë kapacitetet e veta për të kryer rolin e vet.
Lidhur me pritshmëritë, ajo që është më e rëndësishme se pritshmëritë e mia apo të BE-së, janë pritshmëritë e popullit shqiptar. Përmes dy sondazheve të kohëve të fundit kemi parë se, në fakt, niveli i besimit të shqiptarëve te sistemi i drejtësisë është rritur. Ka qenë shumë i ulët, por me hetimet e fundit të bëra nga SPAK-u, mendoj se njerëzit kanë një besim të përtërirë tek institucionet shqiptare dhe kjo është thelbësore. Ne vazhdojmë të themi se, për fat të keq, të rinjtë shpesh vendosin të largohen nga Shqipëria, sepse nuk shohin perspektivë për veten, por mendoj se nëse shohin se sistemi i drejtësisë funksionon, nëse shohin se mbizotërojnë meritat, do të rrinë, sepse ata duan të kontribuojnë për një Shqipëri më të begatë, që ka vendin e vet në Bashkimin Evropian.
Prandaj mendoj se është e rëndësishme për zhvillimin politik, por edhe ekonomik e social të këtij vendi, pasi sigurisht nëse biznesi ka besim se interesat e tyre financiare do të mbrohen, se do të operojnë në kushte të barabarta, do të investojnë më shumë në Shqipëri dhe pikërisht kjo është ajo që ne duam.
DW: A mund të na tregoni më shumë se cila është ndihma konkrete që është duke dhënë Bashkimi Evropian për të forcuar luftën ndaj korrupsionit dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë?
Silvio Gonzato: Kemi një numër projektesh që mbështesin SPAK-un dhe jo vetëm prokurorët në veçanti, por edhe anën hetimore. Kemi bashkëpunim mes agjencive të BE-së si Europol dhe EuroJust dhe SPAK-ut. Kemi edhe një numër projektesh për ngritje kapacitetesh që përpiqen të shohin jo vetëm SPAK-un, por edhe sistemin e zakonshëm të drejtësisë.
Një nga gjërat ku jemi angazhuar është sistemi i menaxhimit digjital të çështjeve. Duket si shumë teknik, por është një sistem që do të mundësonte së pari, ndarjen e çështjeve në një mënyrë krejtësisht neutrale dhe transparente, si dhe do të mundësonte pasjen e statistikave të qarta për performancën e sistemit të drejtësisë dhe si i ndihmon autoritetet të trajtojnë mungesat ekzistuese.
Pra, kemi në dispozicion një larmi mjetesh që siç e thashë, shkojnë nga ngritja e kapaciteteve, sigurimi i materialeve, përmirësimi i infrastrukturës në dispozicion të aktorëve të ndryshëm të drejtësisë, dhe sigurisht mbështetja politike që u japim në këtë drejtim.
DW: Në Shqipëri, është miratuar nga mazhoranca socialiste ngritja e një Komisioni të Posaçëm për të luftuar dezinformimin nga ndërhyrjet e huaja. Opozita dhe ekspertë të medias e shohin si një tentativë për të kontrolluar median. Cili është qëndrimi juaj për këtë nismë?
Silvio Gonzato: Nëse e njihni të kaluarën time, me siguri prisni që të them se manipulimi i informacionit nga aktorë të huaj dhe ndërhyrja është një problem serioz. Unë kam filluar të merrem me këtë në vitin 2015, ndërsa BE-ja ka nisur ta trajtojë këtë fenomen në vitin 2014, me pushtimin e Krimesë.
Është patjetër problem, një problem që vë në provë qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe ne duhet të rrisim ndërgjegjësimin në lidhje me të, për këtë nuk ka dyshim. BE-ja ka qenë në vijën e parë. E nisëm me një plan veprimi në lidhje me dezinformimin në vitin 2019, para zgjedhjeve evropiane, dhe unë kam qenë drejtpërdrejt i përfshirë. Pastaj patëm edhe Parlamentin Evropian që u mor shumë seriozisht me këtë me krijimin e një komisioni ad hoc, FIMI (Manipulimi i Informacionit nga Aktorë të Huaj dhe Ndërhyrja) siç quhet.
Përdorimi i termit është tregues, sepse në fillim flisnim vetëm për dezinformim, por mendoj se fenomeni i ndërhyrjes në demokracitë tona është më i gjerë. Nuk është puna vetëm te media apo te platformat online, ndonëse ato padyshim luajnë një rol të rëndësishëm, por ka edhe faktorë të tjerë që përdoren nga aktorë të huaj, faktorë jo-shtetërorë, për të minuar demokracitë tona, për të minuar dhe besimin te proceset elektorale.
Ekziston çështja që lidhet me sigurinë kibernetike, çështja e financimit të fshehtë të partive politike nga aktorë të huaj, çështja se si aktorë jo-shtetërorë përdorin aktivitetet kulturore për të ndikuar tek opinionet, pra fenomeni është kompleks dhe unë shpresoj dhe kam besim se Kuvendi i Shqipërisë do ta shqyrtojë në kompleksitetin e vet, jo vetëm duke u fokusuar tek aspekti i medias, çka është e rëndësishme.
Sa i takon reagimit, kemi treguar se reagimi duhet të jetë i artikuluar për elementë të ndryshëm. Sigurisht është elementi i trajtimit të këtyre aktorëve dhe mjeteve që ata përdorin për të shtrembëruar perceptimin e gjërave dhe për të manipuluar mënyrën sesi njerëzit i perceptojnë disa fenomene, dhe kjo sigurisht vë në pikëpyetje rolin e platformave online dhe në fillim për këtë kemi përdorur shumë përqasjen vetërregulluese, pastaj me Aktin e Shërbimeve Digjitale kemi vendosur një numër detyrimesh për këto platforma.
Por, edhe njëherë, kur u themi platformave se jeni përgjegjëse për përmbajtjen që publikoni, nuk mund të thonë jam thjesht hapësirë dhe përgjegjësia e përmbajtjes është gjetkë. Ato kanë përgjegjësi, por duhet edhe të sigurohemi që ka transparencë në mënyrën se si e përcjellin përmbajtjen dhe këtu kanë përgjegjësi, pasi nuk mund të lejojmë aktorë privatë që të kufizojnë apo reduktojnë lirinë e shprehjes apo lirinë e medias. Pra, duhet të ketë kontrolle dhe mendoj se përfshirja e shoqërisë civile këtu është kyç. E përmenda lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, pasi ato janë një tjetër element kyç i përqasjes. Prandaj tani në Evropë kemi Aktin për Lirinë e Medias që ka të bëjë me ruajtjen dhe garantimin se mjedisi i medias është i favorshëm për gazetarinë cilësore.
Prandaj mendoj se Kuvendi duhet të shohë kontekstin e gjerë këtu në Shqipëri kur bëhet fjalë për median dhe ne e dimë se dezinformimi është i përhapur, pasi ndonjëherë kushtet e punës në të cilat operojnë gazetarët në Shqipëri sigurisht që nuk janë ideale dhe ka shumë pasiguri, por gjithashtu edhe shumë trysni për shkak të lidhjeve mes biznesit, politikës dhe medias.
Prandaj duhet të kemi transparencë këtu, duhet të kemi siguri që gazetarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të prodhojnë llojin e informacionit që qytetarët shqiptarë kanë të drejtë ta kenë. Prandaj mendoj se duhet një përqasje shumë sensitive dhe e arsyeshme ndaj këtyre çështjeve, e tillë që të sigurojë garanci të qarta se shoqëria civile do të përfshihet në diskutime dhe do të ketë një rol për të siguruar që masat e marra të mos çojnë në kufizimin e hapësirës për shprehjen e lirë, për median e lirë, për gazetarinë e pavarur.
DW: Kalojmë në një tjetër çështje mjaft të debatuar, Ligjin i ri për Zonat e Mbrojtura. Komisioni Evropian ka rekomanduar në raportin e tij të vitit 2023 për Shqipërinë se vendi duhet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik në projekte, si dhe të zbatojë dhe monitorojë rekomandimet që rrjedhin nga këto vlerësime. Keni një koment për këtë situatë?
Silvio Gonzato: Ashtu si thatë edhe ju, kjo çështje ka shkaktuar shumë shqetësim dhe pakënaqësi, të shprehur veçanërisht nga organizatat e shoqërisë civile. Më duhet të them se ndonjëherë nuk është vetëm çështje përmbajtjeje, por edhe çështje procesi, si e miraton legjislacionin. Në këtë rast ishin ndryshimet që u propozuan, në fillim nga një numër anëtarësh të parlamentit, pastaj nga qeveria, dhe mendoj se e humbëm pak panoramën e përgjithshme, çfarë do të ndodhte dhe cili ishte ndikimi i qartë i këtyre gjërave.
Është e rëndësishme që kur merren vendime kaq të rëndësishme, sepse prekin tema që janë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, por që janë shumë të rëndësishme edhe për procesin e anëtarësimit, është e rëndësishme që kur merren këto vendime pra, të bëhen duke u përpjekur të ruhet një klimë besimi, që njerëzit ta dinë cilat janë pasojat e legjislacionit të ri. Mendoj se procesi i konsultimit mund të ishte kryer në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe transparente.
Tani jemi ende në procesin e vlerësimit të ndikimit të dispozitave të reja, pasi sigurisht duhet parë se si mund të ndikojnë dispozitat e reja te planet e menaxhimit që janë krijuar për menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe cila është procedura që mund të çojë në njëfarë mënjanimi të këtyre planeve menaxhuese. Por, siç e thatë edhe ju, vështirësia qëndron te gjërat e vogla, te hollësitë e vënies në zbatim, dhe një element kyç është që duhet të kemi një vlerësim të plotë dhe të pavarur të ndikimit në mjedis para se të procedohet me projekte të tilla.
Sigurisht që edhe procedurat e prokurimit duhet të jenë transparente në këtë drejtim. Pozicioni im është që dëshira e Shqipërisë për të garantuar se mund të përdorë pasuritë e veta natyrore dhe bukurinë e mjedisit dhe peizazhit, edhe për të promovuar zhvillimin ekonomik të vendit, është legjitime. Çdo vend do të donte ta bënte këtë. Por, për dobinë afatgjatë të shqiptarëve, është e rëndësishme që zgjedhjet që bëni sot të jenë zgjedhje të qëndrueshme dhe të mos ndikojnë në mënyrë negative në mjedis.
Biodiversiteti i këtij vendi, që është jashtëzakonisht i pasur, dhe që në fakt e bën Shqipërinë unike dhe tërheqëse, nëse e humbisni atë, do të bëheni si gjithë destinacionet e tjera turistike, jo medoemos më tërheqës se të tjerët./dw