Nga Deada Hyka
Coco Chanel ishte avangardë kur tha: “Luksi duhet të jetë komod, përndryshe nuk është luks”. Dhe konsumatorët janë përgjigjur.
Në një raport të fundit, McKinsey vuri në dukje se markat më të mira janë ato “që fokusohen te produktet luksoze, por dhe veshje sportive dhe kompanitë që kanë investuar në nisma të guximshme strategjike dhe operacionale për të nxitur shitjet më të mira”.
Në Shqipëri, ku traditat dhe moderniteti përplasen në mënyra të ndryshme, konsumi është një aspekt i rëndësishëm i kulturës së përditshme.
Ndërsa për shumë njerëz, koha dhe kostot për të blerë qoftë veshje apo dhe produkte të tjera është “luks” në kushtet e një ekonomie të reduktuar, është një pjesë e cila ka mundësinë që të shijojë kënaqësinë e tregtisë me marka të njohura.
Në ditët e sotme, një realitet i zakonshëm është rritja e çmimeve në shumë sfera të jetës: nga ushqimi dhe qiraja deri te veshjet dhe makinat.
Për shumë shqiptarë, kjo rritje duket se nuk i pengon në zgjedhjet e blerjeve, përjashtim bëjnë vetëm rastet kur nevoja bëhet e pashmangshme. Në vend të kërkojnë zgjidhje alternative ose të kufizojnë shpenzimet, ata vazhdojnë të kërkojnë produkte me emra të njohur, ndonëse kjo ndryshon nga një kategori në tjetrën.
Pse ndodh kjo? Pse, për shembull, një person mund të zgjedhë të paguajë më shumë për një artikull veshjeje të një marke të njohur, ndërkohë që mund të gjendet një alternativë më ekonomike dhe të cilën çdo person tjetër mund ta bëjë të njëjtin përdorim?
Sipas sociologëve, një përgjigje mund të kërkojë një hulumtim më të thelluar të identitetit të një personi dhe rolin që markat dhe produktet e tyre luajnë në të.
Në një kohë ku prezantimi personal është shumë i rëndësishëm, produktet me marka të njohura mund të shërbejnë si një mënyrë për të shfaqur statusin social, apo për të përmbushur një nevojë për njohuri dhe pranim në shoqëri. Dhe kjo bie në kontradiktë me përllogaritjet e fundit të Eurostat, sipas të cilave, ushqimi u merr pjesën më të madhe të tortës së të ardhurave mujore shqiptarëve.
Por, sociologia Marsida Simo, thotë se kjo nuk është e gjithë historia. Sipas saj, ndikimi i mediave sociale dhe globalizmi në përgjithësi nuk mund të injorohet.
“Në një botë ku imazhi dhe prezantimi janë të rëndësishëm, markat e njohura janë të pranishme si simbole të statusit dhe suksesit.
Megjithatë, kjo përplasje midis rritjes së kostove dhe dëshirës për marka të njohura sjell me vete edhe sfida të tjera. Ka një aspekt financiar, pasi për një numër të madh njerëzish, blerja e produkteve të markave të njohura mund të jetë një shpenzim që zë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, duke sjellë sfida të vërteta për mbijetesën”, – shton ajo.
Dominojnë veshjet dhe çantat
Ndonëse Shqipëria është një treg i vogël, në sektorin e veshjeve, ka përfaqësi të firmave botërore. Lidhur me këtë, me kalimin e viteve, qendrat tregtare, jo vetëm që konkurrojnë mes tyre për markat që sjellin në Shqipëri, por kanë rritur edhe formatet e dyqaneve, me standardin ndërkombëtar.
Ndonëse dyqanet me ecuri më të mirë në Shqipëri janë ato që shënjestrojnë shtresën e mesme, hasim jo pak marka ndërkombëtare luksi, të cilat kanë klientët e tyre.
Sipas përfaqësuesve të disa emrave që operojnë në Shqipëri, si “Roger Tirana” që ka marka si “Vero Moda”, “Kocca”, “Hilfiger”, “Jack and Jones”, etj., në vendin tonë mbizotëron ende mendësia për autenticitetin e firmave dhe kjo i bën shqiptarët më skeptikë në blerje, si dhe nxiten nga ideja e të bërit blerje jashtë Shqipërisë.
Përfaqësuesit e shitjes së markës “PrimaDonna” në “Ring Center” kanë tjetër qëndrim. Sipas tyre, shitjet në vendin tonë janë rritur. Për këtë ka ndikuar fakti se kur markat e rëndësishme vijnë me përfaqësi zyrtare në një shtet, çmimet janë të unifikuara. Konsumatori shqiptar e gjen në të njëjtin çmim një veshje të caktuar, si në Tiranë, si në Romë.
Kjo mendohet se do të rrisë shitjet edhe më shumë në vitet e ardhshme, duke qenë se kërkesa ka qenë gjithmonë, por shqiptarët ose udhëtonin për t’i gjetur ose i porosisnin në faqe që funksionojnë si “personal shopper”, kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale.
Përfaqësuesit e markës “Alviero Martini” në Shqipëri deklarojnë për “Monitor” se, ka pasur rritje të numrit të blerjeve të produkteve të tyre, si çanta, rripa dhe aksesorë të tjerë, duke krahasuar vitet pas pandemike.
Sipas tyre, në mesin e blerësve ka edhe nga ata të kategorisë së shtresës së mesme, e cila mund “t’ia lejonte vetes” një çantë 300 euro, sikur vetëm një herë në jetë. Rritja e shitjeve mbështetet më së shumti mbi klientët besnikë, që i rikthehen dyqanit.
Sipas tyre, kryesojnë klientët me buxhet mbi mesatare, pasi luksi është elementi i parë që hiqet nga lista kur gjendja ekonomike nuk duket mirë.
Përfaqësuesit e markës “Pierre Cardin” shtojnë se, është rritur interesi i grave shqiptare për të blerë elemente arreduese në shtëpitë e tyre, me vlera më të larta, por është ulur kërkesa për aksesorë luksi vetjakë. Sipas tyre, zgjedhja e një byzylyku të kësaj marke apo veshjeje, është zëvendësuar me një mbulesë krevati apo tapet, të kualitetit francez, të cilat parapëlqehen më së shumti.
Po të kalojmë në sektorin e bizhuterive, drejtuesja e Pirro Argjendari, Alba Ruço thotë se, kërkesat për produktet e luksit ka ardhur në rritje krahas atyre për metal të çmuar, kryesisht ar i verdhë, pasi është rritur klasa me të ardhura të larta. Sipas saj, kërkesa për diamante është në rritje të vazhdueshme.
Trendi
Një sondazh nga Banka e Amerikës, i publikuar në fund të vitit të kaluar, vuri në dukje se pothuajse 40% e shpenzimeve për mallra luksoze erdhi nga njerëz që fitonin 50,000 dollarë në vit, ose më pak. Një shpjegim i mundshëm për këtë paradoks është se konsumatorët e rinj po refuzojnë konsumin e vazhdueshëm (mendoni modën e shpejtë) në favor të mallrave të ndërtuara për të qëndruar.
Sa po shiten veshjet e luksit
Në disa nga zonat tregtare më të njohura në Tiranë, si: “Arena”, “Coin” apo “Europian Trade Center” (ETC) apo edhe qendrat tregtare TEG dhe Ring, janë shtuar dyqanet që tregtojnë veshjet firmato.
Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”, që tregton veshjet e markës luksoze italiane “Boggi Milano”, pohon se kërkesa për këtë sektor ka qenë në rritje.
“Trendi i kërkesës ka qenë në rritje në vitin 2023 dhe presim që edhe në vitin 2024 të jetë i lartë. ‘Boggi Milano’ ka klientelën bazë besnike, por gjithashtu çdo muaj kemi klientë të rinj që shumë shpejt kthehen në klientë besnikë.
Mendoj se jetojmë në një epokë luksoze dhe kemi informacion të shpejtë për trendet e reja, ku kryesisht prezantohen nga marka luksoze”, – thotë znj. Xhabafti.
Ajo shton se këtë vit, ka pasur më shumë ndryshim çmimi te markat luksoze, ndërsa te markat mesatare, ndryshimi ka qenë minimal, ku kompanitë kryesisht kanë sakrifikuar marzhet e veta për të mos reflektuar rritje çmimi te klientët.
Sa duan shqiptarët “të duken”
Sipas Marsida Simo, në vendin tonë, vitet e fundit është vënë re një tendencë sikur “është turp të jesh i varfër”.
“Faktet dhe të dhënat tregojnë se nuk jemi një vend me mirëqenie ekonomike. Madje Eurostat, në fund të vitit 2023, konstatoi se 55% e shqiptarëve e perceptojnë veten të varfër, por kur vjen puna në publik, tendenca është të fshihet ky aspekt.
Kryesisht edhe te fëmijët apo të rinjtë ndihet dukshëm investimi te pamja e jashtme. Ndoshta prindërit, duke qenë se kanë kaluar vetë një fëmijëri me shumë mungesa, priren t’ua plotësojnë kërkesat fëmijëve, duke hequr nga vetja apo duke lënë gjëra të tjera edhe më të nevojshme”.
Sipas saj, edhe ndikimi nga rrjetet sociale nxit të rinjtë të duan jetën e luksit dhe dukjes.
“Të rinjtë marrin mesazhin se nëse je dukshëm i pasur, të tjerët të respektojnë më shumë dhe rritet prestigji. Megjithatë kjo në shumicën e rasteve realizohet me marka false apo ekzagjerime në veshje, të cilat tërheqin vëmendjen, por që nuk lidhen dukshëm me atë që ka brenda vetes personi.
Sado që të vishen këta persona, imitojnë apo ndriçojnë me bizhuteritë e tyre në publik, do vijë momenti kur do të përplasen me realitetin.
Dhe, më e keqja në të gjithë këtë, është fakti se për t’u dukur ‘bukur’ mund të bëjnë edhe veprimtari jo të ligjshme për të fituar të ardhura”, – përfundon sociologia.
“Media sociale ka rritur urinë për diamante”
Flet Alba Ruço, drejtuese “Pirro Argjendari”
Diamanti po mbretëron në kërkesat e shqiptarëve, krahas gurëve të tjerë të çmuar.
Tendencë e fundit është përfshirja e monedhave në bizhuteri që janë kryesisht objekte trashëgimie.
Sipas Alba Ruços, çmimet në rritje, jo vetëm të arit, por edhe të materialeve të tjera të çmuara, janë një sfidë që duhet të integrohet dhe sqarohet për klientelën…
Si e vlerësoni preferencën e shqiptarëve ndaj produkteve të argjendarisë?
Zgjedhjet e shqiptarëve janë ndikuar shumë nga përdorimi i rrjeteve sociale. Nëse më parë, njerëzit shikonin njëri-tjetrin në zyra, shkolla, lokale, sot mjafton të kesh një llogari, qoftë edhe false, dhe të studiosh me detaje stilin e jetës së kujtdo.
Siç thuhet, “jo çdo gjë që shkëlqen është flori”, ato që shohim nuk janë të gjitha me vlerë. Pra, nëse na pëlqen diçka, algoritmi do të na ekspozojë më shumë atë, duke na “bindur” se ajo është më e bukura, sepse e kanë të gjithë dhe është në modë.
Dhe kështu, pa u dëgjuar, ne bëhemi pre e preferencave tona, duke u shtyrë edhe më shumë për ta dashur dhe për ta kërkuar jo vetëm produktin, por edhe mënyrën e jetesës që përfaqëson.
Cilët janë artikujt më të pëlqyer të argjendarisë së luksit nga klientët shqiptarë dhe si e keni përshtatur ofertën tuaj për t’u përputhur me këto preferenca?
Ari i verdhë është, pa diskutim, i parapëlqyer, veçanërisht unazat për femra dhe varëset për meshkuj. Parapëlqehen gurët me ngjyra, por edhe diamantet, kur ka mundësi blerjeje.
Në rast se jo, zëvendësuesit e tyre janë zirkonët ose gurët laboratorikë, që në thelb kanë të njëjtën strukturë atomike si natyralet.
Ngjyrat, në përgjithësi pëlqehen shumë, ku dominojnë zafirët blu, smeraldet e gjelbër dhe rubinët e kuq.
Monedhat, një artikull i trashëguar që në kohët e antikitetit parapëlqehen shumë edhe në ditët e sotme. Ato mbartin pjesëza historie dhe dihet që vlera e tyre, duke qenë se kanë më shumë përqindje ari të pastër, rritet progresivisht.
A mund të na thoni se cila është tendenca e re në kërkesën për produkte të argjendarisë? Cilat janë më të pëlqyerat nga klientët shqiptarë?
Një tendencë e re në rritje kohët e fundit janë diamantet e laboratorit të përdorura në bizhuteri ceremoniale. Pavarësisht se dëshira është gjithmonë më e madhe për natyralen, mediat sociale e kanë bërë këtë një trend dhe kanë bërë të njohur diamantet e Laboratorit Grown.
Një tjetër tendencë që vihet re prej pak kohësh është “stacking” ose vendosja e disa bizhuterive së bashku në të njëjtën kohë, për shembull disa varëse njëra pas tjetrës, disa byzylykë së bashku, shumë unaza të rreshtuara në gishta.
A është dëshira për t’u dukur një element i rëndësishëm në zgjedhjet e produkteve të luksit?
Më tepër sesa luks, lidhja me produktet e bizhuterisë është emocionale dhe lidhet me momentet e bukura që njeriu do të kujtojë për vete.
Ne thjesht i theksojmë këto momente me vlerën e bizhuterive. Marketingu mundohet pikërisht të transmetojë vizualisht mesazhet e firmës në kohën dhe kanaleve të duhura.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballeni si drejtues i një argjendarie luksi në tregun shqiptar?
Sfidat janë të shumta, por kur puna bëhet me pasion, sfidat duken më të bukura kur shikon produktin final. Çmimet në rritje, jo vetëm të arit, por edhe të materialeve të tjera të çmuara, janë një sfidë që duhet të integrohet dhe sqarohet për klientelën.
Furniturat që merren nga jashtë vendit kanë problematikat e tyre, pasi ne nuk e kemi të zhvilluar prodhimin e veglave ose çdo lloj materiali që na duhet. Sfida e personelit të kualifikuar është pika kryesore me të cilën besoj se jo vetëm ne, por edhe të gjitha bizneset shqiptare, ballafaqohen.
A ka ndonjë ndikim të veçantë ndonjë ngjarje kulturore apo shoqërore, në kërkesën e produkteve të argjendarisë së luksit në Shqipëri?
Fatkeqësisht, ngjarjet kulturore në vend janë shumë të pakta, veçanërisht ato gjithëpërfshirëse. Më tepër ndikohen nga ngjarjet e huaja, ato botërore që bëhen virale në mediat sociale.
Pas pandemisë, edhe festimet janë bërë më private, dhe njerëzit mblidhen më tepër me komunitetet e tyre. Megjithatë, bizhuteria është aksesori që i jep rëndësinë e duhur një rasti, edhe kur rasti mund të jetë thjesht i lidhur me punën apo me takime të rëndësishme.
A keni vënë re ndonjë ndryshim në zgjedhjet e klientëve ndër vite dhe si e keni përshtatur ofertën tuaj për t’u përputhur me këto ndryshime?
Shijet janë sofistikuar me kalimin e viteve, dëshira për aksesorë të çmuar është rritur.
Kjo sepse përveç të gjitha krizave financiare, metalet dhe gurët e çmuar kanë rezistuar duke qëndruar me vlera solide në bursa. Kërkesat janë bërë gjithnjë e më të personalizuara nga ndikimi vizual që na vjen nga të gjitha burimet e informacionit.
Nëse vlerat artistike shkojnë në proporcion të drejtë me vlerat në bursat përkatëse, kreativiteti në këtë fushë do të vazhdojë të prodhojë, sepse ka kërkesa të larta./monitor