Olta Xhaçka dhe njerëzit nga mali!

Nga Marina Kërçeli

Java që po lemë pas ka qenë mjaft e ngarkuar për axhendën politike, ku një ndër ngjarjet që rrëmbeu vëmendjen e të gjithë mediave, qytetarëve dhe vetë politikanëve ishte mandati i deputetes Olta Xhaçka. Pas disa muajsh kërkesë dhe “luftë” nga pala opozitare që kërkuan me ngulm kalimin e mandatit në axhendën parlamentare, ditën e enjte socialistët e rrëzuan atë duke votuar kundër dhe “mbrojtur” ish-ministren Xhaçka.

E gjithë kjo zhurmnajë, u shkaktua nga një investim në Himarë, ku bashkëshorti i ish-ministres, Artan Gaxhi ka përfituar rolin si investitor strategjik për të investuar në fushën hoteliere, duke kërkuar edhe hapësirën e plazhit për ta vendosur në dispozicion të biznesit.

Pasi socialistët votuan kundër dhe nuk dërguan në Kushtetuese mandatin e Xhaçkës, ish-ministrja e ‘rraskapitur’ pas orëve të gjata debatesh në Kuvend duke iu përgjigjur akuzave të opozitarëve, ajo zgjodhi që të kishte edhe një dalje publike në Top Channel, me Grida Dumën në Top Story.

Duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh nga mandati, tek investimi, “ëndrra” e bashkëshortit për të qenë investitor në Jug, ish-ministrja në një moment në përpjekje për t’i “mbyllur gojën shqiptarëve” që pyesin pse i duhet Xhaçkës hapësira e plazhit, ajo u shpreh: “Plazhin e duam që mos të na vijë dikush nga mali të na vër çadrën aty”.

Është në gjithë të drejtën e saj, duke marrë parasysh edhe nëse ka ose jo pasoja, që familja e saj të investojë në një pronë private, por fjalor i Xhaçkës, një ministre që përfaqëson dhe është e zgjedhur nga qytetarët e këtij vendi i tejkalon çdo lloj limit, të një “sulmi” me vetëdije ose jo kundrejt atyre që në të vërtetë krijojnë kapitalin.

Janë qytetarët e këtij vendi që investohen çdo ditë me punën, taksat, rrogat modeste, ku më shumë se 25% i ikën për taksa dhe në luftë me inflacionin, të cilët kanë gjithë të drejtën për ta jetuar me dinjitet Shqipërinë. E padrejtë është që në verë, qytetarët të mbuluar me hallet dhe borxhet që i shkakton pamundësia për të kaluar muajin, të rezervohen nga pushimet verore, sepse plazhin ia “zaptojnë” investitorët strategjikë të cilët po rrënojnë vendin me çmimet stratosferike.

Nuk janë “njerëz nga mali” ashtu siç i cilëson ish-ministrja, por janë qytetarë të cilët kanë trashëguar hapësirën detare brez pas brezi, janë shqiptarët që kanë derdhur gjak për të mbrojtur çdo milimetër tokë që i ndahej Shqipërisë. Por për ish-ministren janë “njerëz nga mali”, pasi ata me kostot e jetesës që ia ka vështirësuar qeverisja, duke mos i krijuar mundësi ekonomike për të përballuar shenzlonget me euro të cilat do të përdoreshin nga investitori strategjik, Artan Gaçi.

“Njerëz nga mali”, ke krijuar ti zonja Xhaçka me sinqeritetin e gabuar, duke na bërë ne qytetareve të kuptojmë se qeveria ka braktisur me kohë çdo logjikë ekonomike, duke ushqyer një pabarazi ekstreme shoqërore edhe relacionale.

Sot kritikën nuk do t’ua bëjmë më ne “njerëzit nga mali”, por një investim amerikan që po jep fryte, ai që po “ç’kallmon” çdo rrënjë të kalbur të një politike që po varfëron vendin dhe po largon shqiptarët. Sot apo nesër, në një ditë të afërt t’i zonja Xhaçka dhe çdo politikan tjetër do të japë llogari për çdo fryrje që i ka bërë shqiptarëve!/M.K-dritare.net

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *