Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 5 personat e vënë nën akuzë për përdhunimin e një 15-vjeçare në Tarazh të Mirditës.
Prokuroria është në pritje të përgjigjes së ekspertizës mjekësore, e cila do të vërtetojë nëse 5 personat kanë abuzuar apo jo seksualisht me të miturën.
Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe shtetasi me iniciale A.Gj u arrestuan nga policia, pas denoncimit të 15-vjeçares, e cila pretendon se përmes shantazhit është përdhunuar nga 5 personat.
Si u zbulua abuzimi?
Babai i të miturës ka rrëfyer për mediat se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 8 mars, kur Artan Kaçorri ka shkuar dhe ka marrë 15-vjeçaren në shkollë. Sipas prindërve të vajzës, 31-vjeçari e ka marrë vajzën me zor në makinë dhe e ka droguar. Më pas ai ka kryer marrëdhënie seksuale me të, dhe e ka dërguar tek Nikë Lleshi, i cili gjithashtu ka abuzuar seksualisht me të. Me anë të një videoje, ata e kanë shantazhuar vajzën e cila nga frika është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë në grup. Ka qenë e ëma e të miturës që ka dyshuar se me vajzën diçka nuk shkonte pasi i ka gjetur një telefon ilegal i cili i qe dhuruar nga autorët. Brenda telefonit gjendeshin foto e video, me të cilat ata i bënin shantazh për të kryer marrëdhënie seksuale me persona të tjerë.
Artan Kaçorri 31 vjeç, Albert Molla 27 vjeç, Ermal Tarazhi 30 vjeç, Nikë Lleshi 44 vjeç dhe 17-vjeçari Adrian Gjikola janë autorët të cilët u lanë para disa ditësh në masën e sigurisë arrest me burg.
/Priza.al/