Seanca dëgjimore e zhvilluar në dt. 1 korrik me gjyqtaren e Apelit, Zegjine Sollaku, pritet të sjellë konfirmimin në detyrë të saj. Mbrojtja e saj, nëpërmjet bashkëshortit, avokatit të njohur, Theodhori Sollaku, argumentoi me dokumente bindëse domosdoshmërinë e përfshirjes në analizën financiare nga ana e Komisionit të disa të ardhurave nga burime të ligjshme, me kanale bankare në vitet 1996-1999 dhe në vitet 2008-2010, të ardhura që janë deklaruar vite më parë edhe në deklaratat e pasurisë së bashkëshortëve Sollaku.
Kështu, shuma prej 63 milionë lekë të vjetra të paguara nga universitet private në vitet 2008-2010, nuk ishin përfshirë në analizën financiare të Komisionit me argumentimin që nuk është paraqitur dokument nga tatimet që të provonte kryerjen e pagesave për tatimin në burim nga Drejtoria e Tatimeve Tiranë, për shkak të kohës mbi 10 vjet të ruajtjes së dokumenteve.
Ndërkohë, mbrojtja argumentoi, duke ju referuar edhe praktikës së Komisionit, që pagesa e tatimit në burim është detyrim i universiteteve dhe jo i subjektit përfitues dhe se mosparaqitja e dokumenteve nga organet tatimore nuk i bën të paligjshme të ardhurat e realizuara.
Po kështu, ndryshe nga qëndrimi i Komisionit në lidhje me pagesat e përfituara nga udhëtimet zyrtare jashtë shtetit në vitet 1992-1997, Sollaku kundërshtoi qëndrimin e mbajtur nga organet e rivlerësimit që nuk njohin të ardhurat nga Dietat e shërbimit jashtë shtetit të zyrtarëve.
Ky qëndrim i komisionit është arsyetuar me faktin se dietat jepen për t’u konsumuar dhe jo për t’u kursyer. Mbrojtja argumentoi se një qëndrim i tillë cenon lirinë ekonomike të individit, dhe veçanërisht në vitet e vështira ekonomike ‘92-‘97, ku rroga e tij ishte 12 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërkohë që dieta ditore ishte 180 dollarë.
Sollaku u ndal gjatë edhe tek njohja pjesore nga ana e Komisionit të të ardhurave si këshilltar i një banke private. Komisioni ka njohur vetëm të ardhurat që mbështetshin nga “statement bankar”, ndërkohë pagesat e kryera para vitit 2000 nuk i janë njohur, megjithëse banka ka konfirmuar zyrtarisht pagesat e kryera në favor të zotit Sollaku edhe para vitit 2000, por statementet nuk ekzistonin për shkak të rregullave të ruajtjes së dokumentacionit bankar jo më shumë se 10 vjet dhe për shkak të ndryshimit të sistemit informatik në vitet 2000.
Shuma e pa llogaritur për këtë episod ishte 39 milionë lekë të vjetra. Shpjegime u dhanë edhe për disa të ardhura të tjera, që nuk i ishin nënshtruar analizës financiare dhe që mbrojtja argumentoi me dokumente ligjshmërinë e tyre.
Komisioni në mbyllje të dëgjesës tha që do t’i shqyrtojë dokumentet që mbështesin pretendimet e paraqitura në seancë nga subjekti i rivlerësimit, edhe për shkak se ato janë paraqitur pas mbylljes së hetimit administrativ dhe në datë 8 korrik do japë vendimin.
Mesa u duk në seancën dëgjimore, mos bërja e pyetjeve nga ana e vëzhguesit ndërkombëtar, dhe miratimi herë pas herë nga ana e anëtarëve të Komisionit, me gjeste, i shpjegimeve të mbrojtjes, të krijon idenë e rikonfirmimit në detyrë të gjyqtares Zegjine Sollaku, e cila nuk kishte asnjë problem si me anën profesionale ashtu dhe me figurën.
/Priza.al/