Kaosi në KLP: Çfarë fsheh largimi i Ballës? A po sjellin amerikanët në krye një prokuror të SPAK?

Shpërthimi i papritur i ‘stuhisë’ në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nuk është një ‘vetëtimë’ në qiell të hapur.

Gjithçka po zhvillohet në një kohë kur SPAK, institucioni më i rëndësishëm i varësisë së KLP është kthyer në armikun numër 1 të politikës.

Alfred Balla, kryetari i KLP-së, që është zgjedhur nga radhët e organizatave jo qeveritare, u shkarkua papritur nga Kolegji i Përgjithshëm i Apelimit, duke e ndaluar që për të paktën 15 vjet të mos i afrohet magjistraturës.

Balla, është vetëm një prej anëtarëve të KLP-së edhe pse anëtar, megjithëse roli i tij ka peshë në vendosjen e axhendës.

Ndërkaq, dy anëtarë të tjerë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Tartar Bazaj dhe Nurihan Seitit, u ka mbaruar mandati me kohë.

KLP ndodhet në një udhëkryq shumë delikat, në një kohë të vështirë. Ku pas ofensivës së fortë të SPAK, mazhoranca ka ndërmarrë një nismë politike për t’i vënë ‘kufirin te thana’ Prokurorisë Speciale.

Nuk është aspak e rastësishme, që e gjithë kjo zhvillohet në një ditë kur në Kuvend po diskutohet jo vetëm rezoluta e mazhorancës për “reformën e re në Drejtësi”, por edhe Komisioni i Reformës së Re që sipas të gjitha gjasave do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj. Një komision që në mos do kufizojë SPAK, do të ndryshojë ligjet në të cilët bazohet veprimtaria e Prokurorisë Speciale.

Sinjalizimet janë se do të ndryshohet Kodi Penal dhe ai i Procedurës, për rastet e Shpërdorimit të detyrës, ku do të kufizohet deri në ndalim, mundësia e SPAK për të arrestuar apo shpallur të pandehur një zyrtar shteti. Megjithatë, jemi ende në hipoteza, gjithsesi vetëm logjika bën të kuptojë se kemi të bëjme me një tronditje pushteti brenda organit që zgjedh jo vëtëm drejtuesit e SPAK por edhe prokurorët.

Të tre anëtarët që u ka mbaruar mandati: Balla, Bazaj dhe Seiti, në votimin dramatik për kreun e SPAK nuk kanë votuar për Altin Dumanin, por për Kondilin, që u fol si kandidat i preferuar i mazhorancës.

E në këtë mjedis, duket qartë se ndërkombëtarët po bëjnë lojën e tyre për ta mbajtur sa më të pavarur këtë institucion të rëndësishëm. Të cilin mazhoranca po e shantazhon me komisionin paralel, por edhe me kërcënimet për ndërhyrje në Kodin Penal. Të cilat nëse bëhen ashtu siç flitet, mund t’ja ngushtojnë shumë rrezen e veprimit prokurorisë Speciale. Për shembull, një zyrtar, nëse bie neni i shpërdorimit të detyrës, nuk mund të shpallet nën hetim pa u faktuar rasti i rryshfetit, korrupsionit pasiv apo konfliktit të interesit.

Flitet ndërkaq, se edhe nene të tjera të Kodit Penal mund të kenë ndryshime, kryesisht ato që kanë të bëjnë me ndjekjen e zyrtarëve nën dyshim të arsyeshëm.

Po a do ta lejojnë amerikanët dhe europianët një katapultim të tillë të institucionit që kontrollon emërimet në drejtësi?

Gjasat janë që nuk do të ndodhë, e siç duket, largimi i kreut të KLP-së hap një lojë të re përballë synimit të Edi Ramës për të ndërmarrë një “reformë të re në drejtësi”. E cila mund të shkërmoqet me ditë nëse SPAK shkakton një tornado me hetimet e tij.

Edi Rama kërkon që të luajë ‘faktin e kryer’ pikërisht përpara se të miratohet reforma e re, e cila siç mësohet do të ketë si herën e parë, asistencën e OBDAT-it amerikan dhe EURALIUS të Europës. Ndaj largimi i kreut të KLP-së, duket një lojë shumë e fortë, e nuk ka asnjë çudi që në krye të këtij institucioni të vendoset një drejtues i SPAK, që më pas ta çojë thuajse të gjithë organin e akuzës nën një blind të fortë euroatlantik

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *