“Rama porositi dhunimin e Sokol Mëngjesit,” Balla i përgjigjet “dhëmbë për dhëmbë” Berishës: Po vetëviktimizohesh

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me dhunimin barbar të avokatit të tij Sokol Mëngjesi, duke e konsideruar si “vetëviktimizimin politik”.

Balla shkruan se “zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi,”.

Ministri sqaron se është Policia tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve.

“Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi. Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve. Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falenderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor!,” shkruan Balla.

Kujtojmë se më herët Partia Demokratike, grupi i Rithemelimit i drejtuar nga Sali Berisha, akuzon drejtpërdrejt Edi Ramën se ka urdhëruar banditët që mëngjesin e sotëm t’i bënin pritë avokatit të tij dhe ta dhunonin barbarisht me leva.

Përmes zëdhënëses Floriana Garo, grupi i Rithemelimit thotë se shkaku i dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi në mes të Tiranës është procesi gjyqësor i Sali Berishës.

“Sot ne mëngjes, tre bandite, te urdhëruar nga Edi Rama, kane sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha”, u shpreh Garo.

Policia e Tiranës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, duke pyetur dëshmitarët në zonën e ish-Bllokut, si dhe duke administruar kamerat e sigurisë ku tre autorët shfaqen të pamaskuar e me mjete të forta në duar.

“Ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të Partisë Demokratike është një proces kryekëput politik i bazuar ne një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani“, thuhet në deklaratë.

Grupi i Rithemelimit thotë se duke e goditur me banditë profesor Sokol Mëngjesin dhe duke i shkaktuar atij lëndime të rënda, kryeministri Edi Rama dëshmon frikën dhe panikun që përjeton nga aktet e tij politike kriminale.

Avokati doli sot në mëngjes për të dërguar djalin në shkollë, por kur është kthyer tre autorët, të pamaskuar i kanë bërë pritë dhe e kanë dhunuar barbarisht. Mëngjesi është dhunuar barbarisht me grushta dhe leva.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *