KQZ amnistoi Qerim Ismailajn/ Këlliçi: Celibashi tregoi vullnet të mbrapsht politik për të goditur dekriminalizimin

PD ka reaguar përmes deputetit të zgjedhur, Belind Këlliçi lidhur me vendimin e dhënë sot nga KQZ për kreun e Bashkisë së Mallakastrës. Qerim Ismailaj do të vijojë të ushtrojë detyrën.

Këlliçi tha në një dalje për mediat se vendimi i Komisionerit Shtetëror të zgjedhjeve për Qerim Ismailajn është shkelje e ligjit.

Deklarata e plotë:

Vendimi i sotëm i komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të amnistuar uzurpuesin e paligjshëm të bashkisë së Mallakastrës, pavarësisht dënimit me 3 vite burg në Greqi, është në shkelje të ligjit dhe në kundërshti me tre precedentë për të cilët KQZ ka vendosur ndërprerjen e mandatit.

Në rastet e Dashamir Tahirit, e Aqif Rakipit dhe Gledion Rahovicës, që kanë rezultuar të dënuar apo hetuar jashtë vendit dhe që nuk e kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit dhe kanë pretenduar se nuk kanë patur djeni për këto fakte, KQZ-ja ka shpallur pavlefshmërinë e mandateve. Pra të kundërtën e asaj që Ilirjan Celibashi zgjodhi të bëjë sot.

Qerim Ismailaj është subjekt ndalimi i ligjit të dekriminalizimit. Ai përfshihet në shkronjën “ç” të pikës 1, të nenit 2 të ligjit, për shkak se ka kryer një krim dhe është dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim. Për këtë rast ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, deri në momentin e rehabilitimit. Qerim Ismailaj jo vetëm nuk e ka përfunduar dënimin, por e ka fshehur atë dhe vendimi nuk është ekzekutuar sipas ligjit.

Vendim i Ilirjan Celibashit për të mbajtur në kundërshtim me ligjin një person të dënuar në krye të Bashkisë së Mallakastrës, është tregues i një vullneti të mbrapshtë politik për të goditur ligjin më të rëndësishëm të Republikës tonë, atë të Dekriminalizimit. Një ligj që erdhi në jetë nga beteja e Partisë Demokratike për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë institucione të pastra nga kriminelët dhe për ta shkëputur politikën me krimin.

Partia Demokratike dënon me forcë shkeljen e ligjit të Dekriminalizimit dhe do ta ankimojë këtë vendim.

Masakra zgjedhore e 25 prillit, ku politika dhe krimi bashkëvepruan për të penguar nëpërmjet çdo paligjshmërie ndryshimin që njerëzit donin, tregoi se ligji i Dekriminalizmit nuk mund të shkelet, por duhet të forcohet dhe më tej për t’iu përgjgijur nevojës ulëritëse që kanë shqiptarët, sidomos të rinjtë, për një politikë të ndarë nga krimi, një politikë që i shërben njerëzve dhe jo krimit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *