I ftuar në një nga puntatat e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut, gazetari Berat Buzhala ka deklaruar se kjo që po ndodh me Erion Veliajn në fakt, nuk quhet hetim, por persekutim. Buzhala, që njihet për qëndrimin kundër Veliajt, tha se sulmi që po i bëhet kryebashkiakut është një pamje e shpifur, çka mund të quhet edhe si linçim ndaj personit.
“Problemi i SPAK-ut, sipas meje, është se, kur ti e ndjek personin, e persekuton atë; kur ti e ndjek, në anglisht tingëllon më bukur, ‘prosecutor’ dhe ‘persecution’. Hajde të flasim për Erion Veliajn, e kemi në hetime. Unë jam kundër Erion Veliajt, kam votuar kundër Erion Veliajt, nuk e mbroj me asnjë kusht, por edhe ajo pamje është e shpifur, duke i bërtitur ‘hajn’ nga distanca. Çfarë? Linçim po bëni ndaj njerëzve? Një psikozë e tillë unë nuk e di pse i duhet shtetit shqiptar”, tha Buzhala.
Më herët, në qëndrimet e tij, Buzhala ka shprehur indinjatën e tij në rrjetet sociale për sulmin që një grup militantësh të Rithemelimit i bëri Veliajt, kur ai u paraqit si person në dijeni në SPAK. “Kur llogaridhënia shoqërohet me turma që shajnë, që klithin, që gjuajnë, që janë të gatshëm të të sulmojnë edhe fizikisht, kemi të bëjmë me linçim”, ka deklaruar ai.