Kurti pritet nga Erdogani, ja çfarë pritet të bisedohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur të premten një vizitë në Turqi, ku ka biseduar me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe për mbrojtjen , njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Ky është takimi i dytë i Kurtit me Erdoganin në Turqi, pas atij në Stamboll në shkurt 2023.

“Diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, raportet ndërinstitucionale, zhvillimet rajonale dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, si dhe ato të sigurisë e mbrojtjes”, thuhet në komunikatë.

Kurti do të marrë pjesë të hënën në forumin e parë ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, i cili, sipas tij, do të jetë mundësi për thellimin e marrëdhënieve dhe rritjen e investimeve mes dy vendeve.

Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.

Se sa dronë u blenë, nuk u bë e qartë atë kohë.

Sipas komunikatës të premten, Kurti e falënderoi Turqinë për mbështetjen që ajo i ka dhënë Kosovës në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

“Kryeministri Kurti…shprehu edhe falënderimin për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill të këtij viti dhe qëndrimin e Qeverisë së Turqisë në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate”, thuhet tutje në komunikatë./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *