Ditën e sotme, në fshatin Bishan, policia njoftoi se vëllai kishte qëlluar motrën e tij Bukuroshe Hoxha, me armë, duke e lënë të plagosur në pjesën e këmbës. Aktualisht gruaja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i vëllai i saj, i identifikuar si Seit Danaj, 60 vjeç, pas plagosjes është larguar me shpejtësi nga vendngjarja dhe dyshohet se është arrestuar në pyll. Por shkaqet e rrethanave ishin ende të paqarta.
Ndërkaq, bashkëshorti i Bukuroshes, Bektash Hoxha, ka treguar se si ndodhi ngjarja. Ai thotë se i kunati është një rrezik i shtuar për komunitetin, pasi është i dehur dhe i armatosur. Burri tregon se i vëllai i gruas, pra Seiti, prej 1 viti e gjysmë jetonte me ta, në banesën e tyre, pasi ishte ndarë nga gruaja dhe kishte probleme me familjen, që jetonte në Itali.
Ditën e sotme sipas tij, ai kishte shkuar në Konsullatë Italiane, sepse donte të shkonte për në Itali, të bashkohej me familjen. Bektashi thotë se nuk e di se çfarë përgjigje ka marrë atje, e kur erdhi në shtëpi ishte i dehur dhe i nervozuar.
Ai sipas Bektashit, i thoshte të motrës, ‘Më keni nxirë jetën’. Bektashi tregon më tej, se Seti kishte përgatitur armën për të shkuar për gjah, e në një moment, e nxjerr dhe qëllon të motrën. Burri i Bukuroshes, tregon se u rrezikuan së tepërmi edhe fëmijët e mitur të djalit, që ndodheshin pranë gjyshes së tyre në ato momente.
“Ishim duke qëndruar në këtë pjesë të shtëpisë, ai ishte këtu pranë, i dehur me raki. Nusja e djalit i tha nëse a dëshironte t’i bënte një kafe, ai nuk pranoi. E motra i tha që çfarë ke, s’të bëmë gjë. Ai i tha më keni bërë dëm, ishte me çifte, e kishte të mbushur plot. Çiften e kishte në dorë, se do të shkonte për gjah, gjuante lepuj. Ai vazhdimisht thoshte më keni bërë dëm. E motra iu përgjigj ‘se çfarë të kemi bërë, pse të kemi mbajtur me bukë 1` vit e gjysmë?’ Ai vijonte duke thënë ‘më keni nxirë jetën, ik do të vrasë i kishte thënë. E motra iu përgjigj duke i thënë se ‘nëse ke ndërmend të më qëllosh më qëllo’. Nuk ia mori mendja që do të qëllonte me të vërtetë. Unë isha këtu, ai më largoi, më tha s’kam punë me ty, por me motrën time. As mua s’ma mori mendja që do të qëllonte. Ai e qëlloi për ta vrarë.
Ishte i dehur, kishte pirë gjysmë litri raki. Pinte gjithmonë. Ai jetonte me ne. Është ndarë me gruan, me fëmijët. Atij ashtu ia thoshte mendja, kishte probleme me familjen. Sot vajti te Konsullata Italiane, tha që do të përpiqem të iki në Itali. Ne i thamë që ta provonte njëherë, nuk e dimë çfarë përgjigje kishte marrë atje dhe ishte i mërzitur. Ai s’kishte tentuar më parë të qëllonte të motrën. Gruaja ishte ulur aty, pranë motorit, ai ishte ulur këtu, kishte përgatitur çantën dhe do të ikte për gjah.
E mbajtëm 1 vit e gjysmë në shtëpi, ai na bëri gjëmën. Kur qëlloi të motrën iku me vrap. Nuk e di nëse e kanë kapur, është fshehur në pyll. Është i armatosur. Ai e bën, mund të qëllojë edhe ndonjë tjetër. Jo i pirë, por edhe në kushte normale nuk është i qetë. Ta mbaj me bukë e të më vrasë këtu. Ai ka rrezikuar dhe fëmijët. Fëmijët qanë, u trembën nga ai monstra”, tha kunati.
/Burimi Ballkanweb/