Departamenti Amerikan i Shtetit tha për Gazetën Express se qëndrimi i i Washingtonit sa i përket procesit te normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë s’ka ndryshuar dhe se synimi afatgjatë i politikës amerikane është që në fund të dy shtetet ta njohin njëra-tjetrën.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie të normalizuar, paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ky zëdhënës për Gazetën Express.
Ai ka shtuar se e ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara.
Nga DASH kanë potencuar se presin që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjet e arritura pa vonesa dhe parakushte.
“Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre të Dialogut plotësisht dhe pa vonesa apo parakushte. Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara është një përfundim me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar për Gazetën Express ky zëdhënës i DASH.
Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Jeffery Hovenier, në një organizim të Economist Impact ka thënë se finalja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet me njohje reciproke dhe asgjë më pak.