Ditën e sotme në Apelin e GJKKO-së po mbahet seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, i cili është dënuar me 2 vite nga Shkalla e Parë për blerje votash.
Beleri kërkon në këtë seancë gjyqësore pafajësinë. Gjatë seancës, avokatët e tij kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Daniela Shirka.
Avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari, ka pretenduar se gjykatësja Shirka nuk është caktuar me short, por manualisht.
Të njëjtin pretendim e ka mbështetur edhe avokati i të akuzuarit tjetër për këtë çështje, Pandeli Kokaveshit.
Debati në gjyq
Avokatët e Belerit: Çështja është caktuar në mënyrë manuale këtij trupi gjykues dhe nuk është zgjedhur me short.
Në këto kushte veprimi procedural është i pa vlefshëm, pasi relatori caktohet me short. Kërkojmë përjashtimin e gjyqtares Daniale Shirka në cilësinë e kryesueses, sepse nuk jeni caktuar me short.
Kërkojmë përjashtimin e gjyqtares Daniela Shirka sepse nuk është e caktuar me short. Ne do depozitojmë kërkesë me shkrim për përjashtim.
Prokurori Adnand Xholi: Është një kërkesë që nuk e pezullon procesin gjyqësor dhe për ne duhet të vijojë seanca.
Gjykata: Kërkesa për përjashtim nuk është shkak për të ndërprerë seancën. Gjykimi do të vijojë procesin dhe çel seancën gjyqësore.
Avokatët e Belerit: Nuk janë respektuar afatet për njoftimin e avokatëve dhe nuk mund të realizojmë një mbrojtje efektive për Belerin.