Divorci/ Kryemadhi: Do flas kur të mësoj arsyet e kërkesës

Ish presidenti i Republikës Ilir Meta, njoftoi te enjten se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, pas 26 vitesh martesë e akoma më shumë vite të një bashkëjetese politike.

Zonja Kryemadhi i tha Zërit të Amerikës se nuk preferonte për momentin të komentonte vendimin e bashkëshortit të saj dhe se më parë donte të mësonte arsyet që e kishin çuar zotin Meta në kërkesën për divorc, të depozituar të enjten në Gjykatën e Tiranës.

Në mbrëmje, gjatë emisionit “Çim Peka live” në Syri.Tv, ish presidenti Meta, tha se zonja Kryemadhi “është tanimë ish bashkëshortja”, dhe se vendimin ai ia kishte komunikuar djalit të tyre Besar Meta, 24 vjeçar, i cili sipas tij, disa herë i kishte kërkuar që të dy prindërit të gjenin “një zgjidhje të qetë, përsa kohë keni shumë tensione dhe probleme. Mendoj se kam gjetur një zgjidhje shumë të qetë”, u shpreh zoti Meta.

Prej disa muajsh zoti Meta nuk jeton në shtëpinë e familjes. Edhe në kërkesën për divorc, ai ka paraqitur si adresë personale, atë të Partisë së Lirisë. Tronditja e marrëdhënieve mes tyre u shpërfaq dhe publikisht, kur riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë, la jashtë tyre zonjën Kryemadhi. Të dy shkëmbyen dhe polemika gjatë mbledhjeve të forumeve drejtuese të Partisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *