Kostot e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas pritet të arrijnë në total 129 milionë euro, sipas të dhënave të fundit nga Komuniteti i Transportit. Shtrenjtimi i çmimeve të tregut dhe disa punime të tjera shtesë kanë ndikuar në rritjen e kostove.
Komuniteti i Transportit njoftoi se në tremujorin e katërt të 2023, Shqipëria kërkoi kosto shtesë nga Komponenti i Huasë (BERZH), për të mbuluar tre komponentë shtesë:
1-Rregullimi i çmimit i Kontratës së Punës për shkak të rritjes së çmimeve të tregut (29 milionë euro);
2 -Ndërtimi i një stacioni të ri përgjatë segmentit ekzistues (11,5 milionë euro);
3- Projekti i zgjerimit të infrastrukturës hekurudhore 4 km nga hyrja e Tiranës në Qendrën e Tiranës (16.1 milionë euro).
Komuniteti i Transportit, në të dhënat e fundit për projektin, raportoi se linja e degës së Aeroportit të Rinasit është në vazhdim e sipër.
Punimet fizike që po kryhen në terren kanë përfunduar në 60 për qind të tyre. Kontrata e ndërtimit u aktivizua në mars 2021, ndërsa ndërtimi filloi në nëntor 2021. Projekti po zhvillohet me mbështetjen kryesore të Bashkimit Europian.
BE ka financuar projektin me një grant investimi prej 35.5 milionë eurosh dhe Agjenda e Lidhshmërisë për Ballkanin Perëndimor, dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhanë një kredi prej 36.9 milionë euro, në një total prej 72.4 milionë eurosh.