Dy ditë më parë, reperi Noizy dhe disa persona tjerë dyshohet se janë përfshirë në një rrahje në një nga diskotekat e Pejës. Dy persona kërkuan ndihmë mjekësore në spital, njëri nga ta Muhamed Iseni, u vetëdeklarua i rrahur në këtë incident.
Të arrestuar nuk ka, ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i bën thirrje Noizyt dhe të dyshuarve të tjerë të paraqiten në stacionin e policisë.
Në një bisedë për Gazetën Express, zëdhënësi Nikçi, fton qytetarët që të japin informacione mbi vendndodhjen e të dyshuarve.
“Nuk është paraqitur përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij se do të paraqitet, nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim dhe për këtë çështje i bëjmë apel këngëtarit dhe gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale që të paraqiten tek organet hetuese.
Përndryshe kërkojmë edhe ndihmën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe ju garantojmë që emri i tyre do të jetë konfidencial nëve na duhen vetëm informata”, tha Nikçi për Express.