Pse Edi Rama nuk e lëshon Olta Xhaçkën?

Pse po rrezikon Edi Rama një situatë të sikletshme, që mund të çojë deri edhe në përplasje me Gjykatën Kushtetuese apo edhe me ndërkombëtarët, për të mbajtur Olta Xhaçkën, kur edhe për pak muaj mbyllet mandati i kuvendit?

Mazhoranca po bën rezistencë jashtë çdo arsyeje, deri edhe duke u përplasur me Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.

Kuvendi, ende nuk i jep dritë jeshile institucionit që interpreton Kushtetutën, që të marrë një vendim nëse ish-ministrja e Mbrojtjes dhe e Jashtme, mund ta mbajë ende mandatin e deputetit.

Sipas të gjithë precedentëve të mëparshëm, si Kokëdhima apo Beqja, vendimi pritet që të jetë i njëjtë, pra t’i heqë mandatin, meqë Xhaçka, përkatësisht familja e saj, ka përfituar një benefit qeveritar, siç është statusi i investitorit strategjik.

Po pse po rrezikon Edi Rama një situatë të sikletshme, që mund të çojë deri edhe në përplasje me Gjykatën Kushtetuese apo edhe me ndërkombëtarët, për të mbajtur Olta Xhaçkën, kur edhe për pak muaj mbyllet mandati i kuvendit?

Siç mësohet, lepuri fle gjetiu. Rama ka frikë se heqja e mandatit do të bëjë të mundur që ish-ministrja të mos ketë mbrojtjen e imunitetit për çështjen e përgjimit, kontrollit apo arrestimit.

Pse Edi Rama nuk e lëshon Olta Xhaçkën?

Siç dihet, Olta Xhaçka është thirrur në SPAK disa herë pas denoncimeve që i janë bërë nga ish-komandanti i Flotës Artur Meçollari, në lidhje me dhënien e pronave të ushtrisë disa kompanive private.

Një lëshim i mundshëm nga Babloku, mund të ketë “rrezikun” që Xhaçka të flasë e të hapë bardhakun për të gjithë çështjet, duke e rrezikuar edhe atë vetë.

Siç është folur edhe pas ndryshimeve në qeveri, Rama hoqi Niko Peleshin nga ministër i Mbrojtjes, pikërisht se ky i fundit nuk pranoi të firmosë kalimin e të tjerave pronave të ushtrisë në dorë të privatit, ose e thënë më saktë të klientëve të kryeministrit. Pak kohë më parë, mësohet se edhe NATO ka marrë inventarin e aseteve ushtarake shqiptare, për të pasur një panoramë të logjistikës, në një involvim të mundshëm konflikti apo organizimi të përbashkët luftarak.

E si të tillë, shtabi ushtarak i aleancës është informuar mbi bazat që mund të përdoren nga trupat apo edhe flota ajrore e detare.

Madje NATO, është në një proces verifikimi edhe për kërkesën e qeverisë që të marrë në dorëzim një pjesë të portit të Porto Romanos, që pritet të ndërtohet pas shndërrimit të Portit të Durrësit, në një port turistik, nga projekti i Alabarit.

Gjithsesi, ushtria shqiptare, ende ka ca pjesë “të vogla” në pronësi të saj që nga koha e Enverit, kryesisht në zonën e Jonit, që janë lakmuar nga investitorët. I pari është Sazani, i cili është përfolur për projektin e dhëndrit të Trump. Por Sazani ende është bazë ushtarake, e që të ndodhë kjo duhet që ministri Mbrojtjes të firmosë kalimin e pronësisë për ministrinë e Financave, që më pas e kalon në procedurat ligjore të privatizimit.

Ja pikërisht për këtë Edi Rama ndryshoi qeverinë, duket se nuk ka pasur besim te Niko Peleshi dhe Ervin Mete që mund t’i kryenin këto procedura kollaj. Ndaj ka vendosur ministrat e rinj, që duke qenë drejtorë në një kohë të gjatë, kanë gjithsesi në rekordin e tyre firma në raste të ngjashme. Por nuk është Sazani e vetmja pronë ushtarake që pritet të transferohet, pasi sapo është hapur edhe tuneli i Porto Palermos që mund të zhvillohet si atraksion turistik.

Por nëse nis me bujë një proces ndaj Xhaçkës në lidhje me pronat e ushtrisë, i gjithë operacioni mund të kompromentohet, e zhurma e madhe politike e mediatike që pritet të plasë mund të hedhë në erë gjithçka.
Së pari, duke larguar investitorët, pastaj pasojat e tjera. Ndaj dhe Rama po mban peng mandatin e Xhaçkës, që të mos hapë petët e lakrorit, të paktën deri në zgjedhjet e reja.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *