Pas një kontrolli të imtësishme, policia në Rinas ka sekuestruar 33 mijë dollarë në posedim të fshehura në çantën e laptopit të një shtetasi turk, 43-vjeçar.
Bazuar në ndryshimet e ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, i ndryshuar, Administrata Doganore njofton të gjithë personat të cilët hyjnë në/ose largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 euro ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesë dokumente justifikuese përkatëse.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas në bashkëpunim me shërbimet e Doganës Rinas dhe Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në vijim të kontrolleve të imtësishme, në bazë të analizës së riskut, në hyrje të PKK Rinas, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar të bagazheve, shtetasin turk N. P., 43 vjeç.
Si rezultat i kontrollit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur të fshehura në çantën e laptopit, 33000 dollarë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Në vijim të veprimeve, shtetasi N. P., u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma e dollarëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/