Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur një protestë të re për më 24 gusht në orën 11:00 para bashkisë së Tiranës, duke e quajtur këtë si një mundësi për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në një postim në Facebook, Berisha e akuzon Veliajn si “një prej hajdutëve më të shpifur” dhe e lidh atë me një “aleancë të pushtetit me krimin” që, sipas tij, ka dominuar Shqipërinë që nga vitin 2013.
“Kjo javë ishte një javë lufte,” deklaroi Berisha, duke theksuar se “krimi, vrasjet, trafiqet” janë bërë kërcënim i madh për jetën e shqiptarëve.
Berisha ka kritikuar ashpër qeverisjen e Edi Ramës, duke e akuzuar atë për krijimin e një aleance me krimin që ka shpërfillur rendin demokratik.
“Prandaj dhe, duke iu përgëzuar dhe shprehur edhe njëherë mirënjohjen, ju ftoj të vazhdojmë betejën tonë të pandalshme gjer në fitore.
Ditën e enjte, tek bashkia në orën 11:00, për t’i treguar vendin njërit prej hajdutëve më të shpifur të tokës shqiptare, Erion Veliajt.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme ndaj jush.
Fitore, fitore, fitore!” përfundon Berisha.