Prestigjozja franceze“Le Figaro”: Shqipëria është 2000 vjet histori! Riviera, një nga gurët e çmuar të Adriatikut

Gazeta prestigjoze franceze “Le Figaro” i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë dhe atraksioneve turistike që vendi ynë ofron.

“Le të jemi të sinqertë. Çfarë dimë për Shqipërinë? Dimë pak për periudhën e e diktaturës komuniste, për `Mercedesin` e vjetër, bunkerët e shumtë dhe ndoshta njohin shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare… Kaq dimë. Trashëgimia helene? Dihet shumë pak. E kaluara dhe pushtimi Osman? Shqipëria është shumë më tepër se kaq, është 2000 vjet histori, kultura, qytetet antike dhe peisazhet e larmishme.

Në veri janë malet dhe luginat e thella, në qendër qytetet e zhvilluara. Në perëndim kryeqyteti aktiv, Tirana. Në jug, bregdeti dhe plazhet e tij, pjesa më e frekuentuar nga turistët.

Shqipëria është një nga gurët e çmuar më të mirë të Adriatikut. Pasi kaloni Vlorën mund të shijoni Detin Jon. Para syve tuaj, gjire të vegjël, ujëvara dhe fshatra në majë të kodrave. Jo, nuk është Greqia, por Riviera Shqiptare, 100 km vijë bregdetare, limane të fshehura dhe zona arkeologjike. Grekët, Romakët dhe Bizantinët ishin vendosur atje. Turistët tani vijnë të shijojnë plazhin.

Dhërmiu, margaritari i detit Jon “

Perla e bregdetit”. Kështu e quajmë ne. Me këtë kuptojmë: ujë të pastër, plazhe me guralecë dhe bare pothuajse në ujë. Dhërmi është një nga vendpushimet më të njohura bregdetare. Ka infrastrukturë cilësore dhe një territor përrallor. Një avantazh tjetër: vija bregdetare është e gjatë. Rreth teje, mali, ai i vërtetë, kap majat mbi 2000 metra.

Dhërmiu është vend bregdetar, por edhe një qytet i vjetër. Ngjituni atje lart dhe shëtisni pak: do të gjeni rrugë me kalldrëm, shtëpi prej guri, fiq, hardhi dhe trëndafila të lulëzuar. Fshati ka më shumë se 30 kisha ortodokse, përfshirë Manastirin e Panajasë, në kodër. Brenda, afreske të bukura të shekullit XVI.

Poshtë fshatit, dy plazhe: ai i Dhërmiut dhe ai i Dhralës. Më në veri, plazhi i Drimadhës është shumë i bukur, por edhe shumë i gjallë. Akoma pak më sipër, plazhi i famshëm i Palasës. Në mes, gjendet një liman i vogël, i izoluar dhe i pambushur me njerëz, që arrihet duke u ngjitur mbi disa shkëmbinj.

Kanioni i Gjipesë dhe plazhi i tij i fshehur është një nga më të bukurit në Shqipëri. 400 metra guralecë, ujë të pastër dhe shkëmbinj përreth. Ideale për not, natyrë përreth dhe qetësi. Një kanion mbresëlënës. Ju mund ta eksploroni atë në këmbë në liri të plotë derisa të gjendeni të bllokuar nga shkëmbinjtë dhe bimësia. Është paksa i largët, diskret, më pak i frekuentuar. Këtu nuk ka klube të zhurmshme apo atmosferë feste, vetëm disa çadra dhe një lokal i vogël.

Porto Palermo

Zyrtarisht, Porto Palermo meriton një vizitë më vete. Nga lart, duket si një ishull, i rrumbullakët dhe i mbështjellë me ujë të pastër. Nga poshtë, të fton për not dhe eksplorim. Është një gji i bukur dhe i paprekur. Porto Palermo citohet rregullisht ndër destinacionet më të bukura në Evropë. Është një gji i mrekullueshëm dhe i virgjër. Njerëzit shkojnë atje për të notuar në istmin me rërë, për të eksploruar kështjellën e Ali Pashës dhe për të vizituar një fshat tjetër aty afër, Qeparoin, që konsiderohet si më i bukuri në Rivierë. Qeparoi është një Shqipëri autentike, një pamje që të lë pa frymë mbi gjirin detar dhe qetësinë e malit. Pak më tej, ju do të gjeni një hapësirë ​​plazhi prej pesë kilometrash të gjatë, Borshin.

Saranda

Le të jemi të qartë, Saranda është qyteti më turistik në vend: 17 000 banorë, një port, ndërtesa dhe një gji të rrethuar me beton. Njerëzit vijnë këtu kryesisht për të shijuar plazhin dhe infrastrukturën. Së pari, shkoni te burimi Syri i Kaltër, rreth 20 kilometra larg. Atje, një ujë i mrekullueshëm jeshil në blu del në sipërfaqe. Gjatë kthimit, ndaloni në manastirin e Shën Nikollës të Mesopotamit, një nga kishat më të mëdha bizantine në Ballkan, me muret e tij mbi 10 metra të lartë dhe katër kupola. Më në fund, ngjituni në Kështjellën e Lëkurësit, një fortesë osmane e ndërtuar për të kontrolluar rajonin. Në vend, pamja shtrihet në Sarandë, Korfuz, në brendësi të vendit dhe Butrint. Rreth 15 kilometra më në jug, është e pamundur të mos përmendësh Ksamilin, shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në vend, por edhe më të frekuentuara.

Butrinti, antik dhe mitologjik

Është vendbanimi më i bukur në Shqipëri. Ai ka frymëzuar Rasinin, Virgjilin, lord Bajronin dhe Eugjen Delakruanë. Qyteti antik i Butrintit është magjik. I themeluar pas Luftës së Trojës nga Enea, djali i vetëm i mbijetuar i mbretit Priam. Për UNESCO-n, ky vend përbën një “mikrokozmos të historisë së Mesdheut”. Përreth, kodra të pyllëzuara, dy liqene dhe ngushtica strategjike e Korfuzit. Rajoni u shpall park kombëtar në vitin 2000.

Gjirokastra, qyteti i bukur me arkitekturë osmane

Nga larg, ajo duket paksa e ashpër, e zymtë, e shuar. Shtëpitë grumbullohen njëra me tjetrën dhe duken gri, si kështjella në majë, të forta dhe të rrepta, por, sapo të hyni brenda, do të ndryshoni përshtypje. Fasada të bardha, rrugë me kalldrëm, lokale miqësore, kafene të gjallëruara, jetë e vërtetë në fshat dhe një xhami që duhet të vizitohet.nGjirokastra konsiderohet qyteti më i bukur në Shqipëri. Nëse ecni për 15 minuta në lindje do të hasni vendin më të rëndësishëm të qytetit, Kalanë e Gjirokastrës, që është një masiv 600 metra i gjatë, me daljen e saj shkëmbore të ndërtuar nga bizantinët në shekullin V dhe më pas i përforcuar nga osmanët.

/Burimi LeFigaro/përshtati në shqip Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *