I akuzuar për tentim vrasje ndaj Trump, shpallet i pafajshëm Routh

Një burrë që, sipas autoriteteve, kaloi 12 orë jashtë fushës së golfit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, përpara se Shërbimi Sekret ta pikaste, u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave federale, që përfshijnë akuzën për tentim vrasjeje.

I akuzuari Ryan Wesley Routh u paraqit në gjykatën federale në West Palm Beach disa ditë pasi u paraqit aktakuza me pesë pika, që lidhej me përpjekjen e dytë për të vrarë Trumpin që nga korriku.

Routh hyri në sallën e gjyqit i prangosur dhe i përshëndeti gazetarët e mbledhur për ta ndjekur procesin. Avokatët e tij refuzuan të komentojnë pas seancës.

Përpjekja e pretenduar për vrasje u pengua kur një anëtar i Shërbimit Sekret vuri re tytën e pushkës e Routh që dilte përtej gardhit të fushës së golfit, ku po luante Trump, sipas autoriteteve. Një agjent qëlloi në drejtim të Routhit, i cili u largua me shpejtësi dhe pastaj u arrestua pranë vendit të ngjarjes.

Zyrtarët kanë thënë se Routh nuk qëlloi asnjë plumb dhe nuk e kishte Trump në rrezen e shikimit të tij. Ai la pas një kamerë digjitale, një çantë shpine, një pushkë dhe një qese plastike me ushqime.

Prokurorët kanë thënë se Routh kishte shkruar për planet e tij për ta vrarë Trumpin në një shënim të shkruar me dorë disa muaj para arrestimit të tij më 15 shtator, ku e përshkruante veprimin e tij si një “përpjekje të dështuar për vrasjen e Donald Trump” dhe ofronte 150.000 dollarë për këdo që mund ta “mbaronte punën”.

Ky shënim ishte në një kuti që Routh raportohet se e kishte dorëzuar në shtëpinë e një dëshmitari të paidentifikuar disa muaj para arrestimit të tij.

Seanca e ardhshme në këtë rast do të mbikëqyren nga gjyqtarja federale Aileen Cannon, e cila u emërua në këtë post nga Trump dhe gjithashtu është caktuar të merrej me çështjen penale ku ish-presidenti akuzohet për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago.

Cannon ka tërhequr vëmendje për mënyrën e saj të trajtimit të çështjes penale të Trumpit, të cilën e hodhi poshtë në korrik, vendim që tani po apelohet nga ekipi i këshilltarit special Jack Smith.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *