DW: Irani dhe Izraeli, si shtetet që dikur ishin miq u bënë armiq të betuar

Edhe njëherë u shkallëzua në mënyrë të rrezikshme situata: Irani sulmoi Izraelin me raketa, qeveria izraelite kërcënon me kundërsulme. Ka pasur një kohë, kur të dy shtetet nuk kanë qenë armiq, përkundrazi.

Lufta në Rripin e Gazës po zhvillohet për gati një vit. Dhe nuk luftohet më vetëm në Gaza. Sulmet me raketa dhe dron ka pasur gjithashtu midis Izraelit dhe Libanit, Sirisë, Irakut dhe Jemenit prej muajsh. Në fund të korrikut u vra në Teheran kreu i jashtëm i Hamasit, e shpallur si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera. Udhëheqja e Iranit më pas u shpreh se do të hakmarret. Të premten e kaluar u vra Hassan Nasrallah, kreu i organizatës shiite libaneze Hezbollah, një tjetër aleat kyç i Teheranit. Më parë, shpërthimi i radiomarrëseve, të ashtuquajturit pager, plagosi qindra zyrtarë të Hezbollahut dhe vrau disa të tjerë. Që atëherë, ka qenë e paqartë nëse dhe si do të përgjigjet lidershipi ushtarak i Iranit – edhe për shkak të historisë së tyre të përbashkët të mbushur me konflikte.

Kundërsulmi i Republikës Islamike erdhi të hënën në mbrëmje: Garda Revolucionare e Iranit goditi me rreth 200 raketa Izraelin. Sulmi ishte si hakmarrje për vrasjen e kreut të jashtëm të Hamasit, Ismail Haniya, Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe një gjenerali iranian, u tha televizioni shtetëror iranian.

Nga aleatë në armiq

Irani dhe Izraeli janë armiq tani prej dekadash. Teherani i mohon të drejtën e ekzistencës Izraelit dhe kërcënon “regjimin sionist” me shkatërrim. Izraeli, nga ana e tij, e konsideron Iranin armikun e tij kryesor. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Të dy vendet ishin aleate të ngushta deri në Revolucionin Islamik në Iran në vitin 1979. Irani ishte madje një nga shtetet e para që njohu shtetin e Izraelit në vitin 1948. Izraeli e shikonte Iranin si një aleat kundër shteteve arabe në konfliktin e Lindjes së Mesme. Për Teheranin, Izraeli, i mbështetur nga Uashingtoni, shihej gjithashtu si një kundërpeshë e mirëpritur politike ndaj fqinjëve të tij arabë.

Izraeli madje trajnoi ekspertë iranianë për bujqësinë, ofroi njohuri teknike dhe ndihmoi në ndërtimin dhe trajnimin e forcave të armatosura persiane. Sundimtari i atëhershëm i Iranit, Shah Mohammad Reza Pahlavi, ofroi nga ana e tij naftë, e cila nevojitej urgjentisht në zhvillimin ekonomik të Izraelit. Irani kishte komunitetin e dytë më të madh hebre jashtë Izraelit. Pas revolucionit, një pjesë më e madhe e hebrenjve u larguan nga vendi. Por ka ende më shumë se 20,000 hebrenj që jetojnë në Iran sot.

Pika e kthesës: Revolucioni Islamik

Pas fitores së Revolucionit Islamik në Iran në vitin 1979 dhe ngritjes në pushtet të krahut fetar brenda revolucionarëve nën Ajatollah Ruhollah Khomeini, Teherani i anuloi të gjitha marrëveshjet me Izraelin. Ajatollah Khomeini e kritikoi vazhdimisht Izraelin për pushtimin e territoreve palestineze. Gradualisht Teherani filloi të zhvillonte një retorikë të ashpër kundër Izraelit me synimin për të fituar mbështetjen e shteteve arabe ose të paktën simpatinë e popullsisë në këto vende. Regjimi në Iran donte të rriste kështu ndikimin e tij.

Kur Izraeli ndërhyri në luftën civile libaneze në vitin 1982 dhe pushtoi jugun e vendit, Khomeini dërgoi Gardën Revolucionare iraniane në Bejrut për të mbështetur milicët shiite atje. Edhe sot e kësaj dite, milicia e Hezbollahut që u krijua në atë kohë konsiderohet si krahu i zgjatur i Teheranit në Liban.

Thellimi i konfliktit

Udhëheqësi aktual fetar i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili vendos në fund për të gjitha çështjet e vazhdoi këtë politikë. Khamenei dhe i gjithë lidershipi i Republikës Islamike të Iranit gjithashtu vënë në dyshim në mënyrë të përsëritur realitetin historik të vrasjes sistematike të hebrenjve evropianë në kohën e nacionalsocializmit dhe përpiqen të relativizojnë apo madje edhe të mohojnë Holokaustin.

Për të forcuar pozicionin e tij kundër Izraelit, por edhe kundër Arabisë Saudite, Irani jo vetëm që mbështeti Hezbollahun në Liban dhe Hamasin në Gaza, por edhe ndërhyri në luftën siriane në anën e presidentit sirian Assad deri më sot, po ashtu mbështeti edhe milicët Huthi në Jemen e të ashtuquajturën lëvizje e rezistencës islame në Irak. Një arkitekt kryesor i kësaj lufte në hije ishte gjenerali i Gardës Revolucionare Quasem Soleimani, i cili u vra në një sulm me dron amerikan në fillim të vitit 2020.

Izraeli gjithashtu ka bërë pak për të lehtësuar tensionet me Iranin. Në fjalimet e tij, kryeministri Benjamin Netanyahu e krahasoi vazhdimisht Republikën Islamike me Gjermaninë naziste, e cila kërcënonte drejtpërdrejt ekzistencën e vendit të tij. Ai e përshkroi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila u negociua nga fuqitë me veto në OKB-së, si edhe Gjermania dhe Irani, si një “gabim me përmasa historike”. Sipas Netanyahut, ai do të parandalonte një bombë bërthamore iraniane “me çdo mjet”.

Izraeli ka kryer vazhdimisht akte sabotazhi kundër programit bërthamor të Iranit. Në vitin 2020, kreu i programit bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrisadeh, u vra. Atëherë gazetat angleze “The Guardian” dhe “New York Times” raportuan se të gjitha provat tregojnë për një vrasje të qëllimshme nga shërbimi sekret izraelit. Izraeli as e mohoi dhe as nuk e konfirmoi përgjegjësinë.

Narrativa e armiqësisë jo e pakontestuar

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *