‘Lëtyrat’ e mikrokredive / Zëdhënësit e një mashtrimi që vazhdon hajduti i vjetër Emin Barçi, ‘rubla’ Akan Ajdini, mafiozja Arlinda Muja dhe gazetari përmbarues Latifi. Iute, Kredo dhe kreditë dixhitale që do jepen me gishtin e mesit

Po bëhet një fushatë marketingu dhe lavdërimi ndaj mikrokredive. Me një diferencë prej 2 ditësh, disa televizione u investuan për mikrokreditë, sikur të kishin interes apo hall të përbashkët. Një përpjekje e sinkronizuar me temën “sa e mirë është mikrokredia” u përpoq të bindte mijëra të mashtruar, që duke parë në TV “lëtyrat” që ishin caktuar për misionin e pamundur, menduan të lehtësuar: Shyqyr që i kemi mikrokreditë, ku do mbyteshim pa to?!

“Njeriu që qesh” i Iute Albania, Akan Ajdin, me fytyrë dhe emër libanezi, kur pyetet për mikrokreditë, reciton si një krupier kazinoje formulën: sa bukur dhe kollaj është të blesh një celular, një palë syze, apo “një palë” pushime me kredi te Iute. Por kurrë nuk tregon të vërtetën se çfarë ndodh më pas, se si mund të masakrohesh vetëm sepse bleve një… telefon. Masakrën që e ndaloi dhe nuk e lejoi Kosova, por e degdisi Iuten matanë kufirit, në Shqipëri, mashtruesi Akan nuk e buzëqesh.

Përpjekja për ta veçuar Iuten dhe Kredon nga skandali “MCA” është një mashtrim edhe më i madh që u bëhet shqiptarëve. Sidomos kur këtë e shohin të servitrur në mediat kombëtare. Të dyja mostrat e mikrokredive, që flasin “rusisht” si Iute ashtu dhe Kredo, kanë shitur mijëra kredi “telefonash” tek të arrestuarit Meskuti & kompani, duke shkatërruar me vetëdije fatin e mijëra shqiptarëve të varfër, që u mashtruan nga reklama “merr kredi pa interes”. Sot dalin pa asnjë skrupull moral para shqiptarëve në TV sikur s’ka ndodhur asgjë. Llogariten rreth 20 mijë kredi të Iute Albania, që prokuroria i ka gjetur në bodrumet e MCA-së, te pallatet Usluga, aty ku janë “varrosur” jo pak por 70 000 dosje bankash dhe mikrobankash.

Pse i shitën kërkesat e përvuajtura për mikrokredi të mijëra shqiptarëve IUTE dhe KREDO tek MCA-FINAL?

Mafiozja Arlinda Muja, e përzgjedhur enkas të drejtojë shoqatën e mikrokredive, e njeh mirë mashtrimin mikrofinanciar, dhe jo pa shkak u përzgjodh nga letonezi mafioz Aigars Kesenfelds, pronari në letra i Kredo Finance, për të futur kthetrat në Shqipëri.

Muja, e shkolluar në shkenca kompjuterike, për 15 vjet ka menaxhuar databazën e klientëve të World Vision e më pas Opportunity Albania, që më vonë ndërroi emrin në NOA. Të dyja këto shoqëri mikrofinanciare shitën në 2015-2016 mijëra kredi tek MCA, të ndihmuar nga Arlinda Muja, me “lejen” e Bankës së Shqipërisë. Kjo ishte sprova që e bëri IT-në Muja të denjë për menaxhere të skemës me mikrokredi, që pas skandalit që shpërtheu në pranverën e vitit 2024, po përpiqet të mbijetojë duke u mbështetur në imazhin e pastër të fytyrës së saj dhe të pamjes groteske të “njeriut që qesh”.

Për të shpëtuar fushatën “ProMikrofinancë”, nën armë janë thirrur dy vullnetarë karagjozë: gazetari politik i konvertuar në “bankier” Emin Barçi dhe gazetari sportiv i konvertuar në “përmbarues” Altin Latifi. Dy hajdutët e ATK-së dhe FAF-it, pasi plaçkitën për 7 vjet shtëpitë e tokat e fshatarëve të varfër që morën mikrokredi për të blerë traktorë, kanë dalë në terrenin mediatik për të mbështetur pupacët e mikrokredive.

“Bankieri” Barçi hutoi edhe vetë kunatin e drejtorit të Iute Albania në Opinionin e datës 2 tetor, kur deklaroi me siguri idioteske se kamata e mikrokredive ka interes 730% në vit dhe me normë interesi 2% në ditë, dhe një kredi 450 euro në 10 vjet nga 2008, është bërë 12 000 euro. Sipas “bankierit” nanoist që shkatërroi ATK-në dhe falimentoi AGROKREDIT, një lavatriçe mund të kthehet në shtëpi pa asnjë problem nëse nuk paguan borxhin mikrofinanciar.

Fajdexhiu “Barçi” padashje ekspozoi thagmën që u lejua për 8 vjet nga Banka e Shqipërisë, rritja e interesave, penaliteteve, kamat vonesave të kredive dhe mikrokredive pa përfillur asnjë limit kohor, pa respektuar asnjë tavan shifror, teksa ligji bankar shqiptar ndalon rritjet e interesave pas 365 ditëve kredi e pashlyer ndërsa kredia e keqe përfundon në gjykatë; kur legjislacioni shqiptar nuk lejon fajdenë qoftë dhe me kontratë bankare.

Në një emision tjetër prestigjioz, drejtori “libanez” i Iutes mahniti me shembullin e “kokrrës së sheqerit”. Akan Ajdini krahasoi mikrokredinë me një bustinë sheqeri dhe kredinë e bankave me një thes. “Ne shesim bustinën e sheqerit që ka paketim më të vogël se sa një thes sheqeri që shesin bankat, ndaj është më e shtrenjtë!”.

Sipas Akan-it të Iutes, bustinat e sheqerit shiten online me telefon, dhe ata që e hanë këtë lloj kredie nuk janë pak, por plot 10 000 viktima çdo muaj. Aplikim digjital, identifikim me celular, firmosje e kredisë me gisht nga celulari. Me këtë metodë perëndimore janë dhënë 70 milionë euro kredi në Shqipëri nga Iute Albania.

Rrethi vicioz i shlyerjes apo mospagesës së kredive të Iutes nxjerr jashtë vetëm 3 përqind të kredimarrësve të këqinj. Pjesa tjetër rrotullohet duke marrë një kredi të re për të likuiduar pjesën e mbetur të së vjetrës. Pak a shumë kështu u shpjegua nga Akan-i mikrofinanciar, pyetja se si përballohet situata me debitorët e këqinj që nuk paguajnë.

Një autoritet i njohur i sistemit bankar, që nuk donte të citohej me identifikim, i shkruan me një mail të gjatë shpjegues redaksisë: “Kontrata e kredisë, përfshirë të gjitha llojet e kredive si ato konsumatore dhe të tjerat, bëhet në të gjitha rastet me shkrim… të gjitha metodat e tjera janë mashtrime që nuk duhen lejuar nga Banka e Shqipërisë. Opinioni publik po mashtrohet. Ju lutem mos heshtni…”.

Skema e mashtrimit vazhdon më keq se më parë

Nëse kontratat e IUTEs bëhen me gisht digjital, lind pyetja me çfarë gishti nënshkruajnë shqiptarët në telefonat e tyre kur aplikojnë për një telefon – kredi? Me gishtin tregues, apo me gishtin që ua ofron lehtësisht Iute Albania apo simotrat ruse të saj?

Shifrat e publikuara nga shoqata e mikrokredive tregojnë për 530 milionë euro kredi konsumatore të dhëna prej institucioneve mikrofinanciare, nga të cilat 366 milionë euro mikrokredi janë dhënë vetëm gjatë vitit 2023.

70% e tyre nga Iute Albania. Ndërkohë që INSTAT ka publikuar dhe llogaritur se minimumi jetik në Shqipëri është 184 euro në muaj, lind pyetja se sa përqind nga kjo shtresë e varfër e popullsisë kanë rënë “dakord” të jenë kaviet e sistemit të mikrokredive, ku ëndrrat e pushimeve magjike verore përmbushen me një klik të vogël në platformën digjitale të Iutes ose Kredos.

Realiteti idilik ku të gjithë janë verbuar nga kreditë që Iute ofron nga celulari, zgjidh problemet e përditshme me mendësinë “mbaro punë sot se nuk i dihet çfarë sjell Zoti nesër”. Dhe ky realitet po ushqehet çdo ditë e më shumë nga TV-të, reklamat, portalet dhe “mamaja” e dashur e kësaj skeme, Banka e Shqipërisë.

Absurditeti i mikrokredive shënon një shifër prej 199 588 kredish konsumatore, por nuk tregon se sa do të dalin “gjallë” nga kjo ushtri prej afro 200 mijë njerëzish.

Nëse skema MCA shënoi 100 000 viktima sociale mikrokredish, sa do të mbijetojnë nga realiteti gazmor i “Iute” deri në fund?

Në epokën e inteligjencës artificiale, kreditë konsumatore dhe interesat e tyre llogariten nga një inteligjencë kafshërore, si kjo që po lejohet në Shqipëri dhe që mbështetet nga bankierët e tipit “Barçi”.

Si gjithmonë, të varfrit janë ata që do paguajnë rëndë për eksperimentet financiare të “elitave” ruse apo shqiptare që fshihen pas gjithë kësaj.

Sa të varfër do ta pësojnë?

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *