PD: Dënojmë sjelljen e Spiropalit, që mbyll punimet e Kuvendit pa konsultim

Grupi i PD-së kundërshton anulimin e seancës së Parlamentit parashikuar për sot në orën 10. Vendimi u njoftua mbrëmë, por sot PD thotë se nuk ka pasur asnjë konsultim për shtyrjen. Vendimi duket se erdhi për të shmangur incidentet që mund të ndodhnin nga aksioni i PD-së në ditën e vizitës së Presidentit turk, Erdogan.

“Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kryetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.

Anulimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij” deklaron grupi i PD-së.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *