Kryeministrja Giorgia Meloni nuk tërhiqet nga marrëveshja e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë. Meloni duke folur në 80-vjetorin e gazetës “Il Tempo” tha se i kishte marrë parasysh të gjitha pengesat.
Ajo tha se marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët do të funksionojë.
“Pakti me Shqipërinë është një projekt objektiv që mund të ndryshojë qasjen që kemi ndaj menaxhimit të migracionit të paligjshëm. Këtë e kuptojnë të gjitha vendet europiane që po na mbështesin. Gjetja e mënyrave të reja për menaxhimin e migracionit është në konkluzionet e këshillit të fundit të BE-së e mbështetur nga 14 vende anëtare. Kush do të frenojë migracionin e kupton që kjo është kyçe dhe kush nuk e do nuk e mbështet marrëveshjen. Pra marrëveshja Shqipëri-Itali do të funksionojë, unë nuk do të lejoj të shkojë dëm një zgjidhje që ne kemi identifikuar në përputhje të plotë me ligjin italian dhe evropian, sepse ka një pjesë të politikës që nuk bie dakord”, tha Meloni.
Ajo kritikoi vendimin e Gjykatës së Romës dhe tha se ata janë diktuar nga një vizion shumë i ndryshëm nga ai i qeverisë.