Që aksioni kundër informalitet të mos sabotohet, një rast nga Kukësi na vjen në ndihmë!

Qeveria shqiptare ka nisur një aksion kundër informalitetit, mosdeklarimit të rrogave reale dhe mospagesës së sigurimeve shoqërore në kohë.

Në takimet e organizuara me bizneset, institucionet shtetërore zbatuese të legjislacionit në fuqi në këtë sektor dhe pensionistë, Kryeministri Edi Rama vendosi theksin se sa rëndësi ka pagesa e sigurimeve shoqërore, jo vetëm e plotë dhe reale, por edhe në kohë.

“Pensioni bazohet te sigurimet shoqërore dhe ndryshe nga pagat që financohet nga buxheti, pensioni sigurohet nga sigurimet shoqërore.

Fondi i pensioneve bazohet te kapaciteti i sigurimeve shoqërore për t’iu përgjigjur nevojës së pensioneve.

Për arsye të ndryshme historike kemi trashëguar një situatë të vështirë kur vjen puna te pensionet, ka pasur shumë shmangie nga sigurimet shoqërore”, tha Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me pensionistët në Fier.

Rama hodhi te bizneset që fshehin pagat reale, apo që nuk deklarojnë në tatime numrin e saktë të punonjësve një pjesë të përgjegjësisë se pse Qeveria e tij nuk mund të rrisë dot pensionet në një nivel të kënaqshëm për të moshuarit.

Sipërmarrësit kanë pjesën e tyre të fajit, por faji dyfishohet kur sigurimet shoqërore për punonjësit nuk paguhen nga vetë institucionet shtetërore, apo më keq akoma kur fondi për sigurime shoqërore devijohet për qëllime të tjera, përfshirë dhe ato korruptive.

Për të ilustruar rrezikun e sabotimit të aksioti të qeverisë mjafton të kujtojmë rastin e Bashkisë së Kukësit, që për 12 vite nuk ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për 350 punonjësit e saj.

Bëhet fjalë për periudhën 2006-2014, kur kjo bashki drejtohej nga Hasan Halilaj i LSI-së.

Ndaj ish-kryebashkiakut Halilaj dhe 14 personave të tjerë u çel një hetim penal në vitin 2015. Gjatë hetimit u gjet se Hasan Halilaj ka dhuruar fondin e sigurimeve shoqërore për ekipin e futbollit të Kukësit, ku vetë bashkia ishte aksioner në minorancë.

Ekspertiza e prokurorisë vlerësoi se dëmi kishte arritur në rreth 400 milionë lekë, ku pjesa dërrmuese e shumës ishte për kamatëvonesa.

Shkelja flagrante e ligjit nga ana e Halilajt në atë kohë u mbështet nga funksionarë tatimesh dhe të degës së Thesarit në Kukës, gjithashtu të bashkëpandehur në dosjen që u ngrit ndaj tyre.

Hetimi zbuloi se ishte një konsensus i heshtur institucional, që me mosveprim të devijoheshin ccdo vit fondet e sigurimeve shoqërore për te klubi i futbollit.

Dosja kaloi për gjykim, por me ndërhyrjen e Ilir Metës hetimet u sabotuan, provat u tjetërsuan e manipulian dhe procesi u zvarrit.

Sot, Ilir Meta është në burg për të tjera akuza, ndërsa Hasan Halilaj kaloi nga LSI te Partia Socialiste, ndërsa sigurimet shoqërore të asaj periudhe janë ende të papaguara.

A rrezikon dhe sot që nisma e radhës qeverisë qendrore të kompromentohet prej e interesave të ngushta lokale dhe konsensusit të heshtur në kurriz të fondit të sigurimeve?

Kjo është arsyeja se përse para ‘raprezaljes’ ndaj bizneseve aksioni kundër mospagesës së kontributeve shoqërore, apo fshehjes së tyre duhet të nisë nga institucionet shtetërore dhe nga përgjegjësit dhe titullarët e këtyre institucioneve që kanë shkelur ligjin.

Kjo tashmë është në dorë të drejtësisë së re.Me drejtësinë e vjetër, Hasan Halilaj shpëtoi pa u ndëshkuar, pasi sipas ligjit, kur punëdhënësi mban kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punonjësve dhe nuk i derdh ato te organet tatimore, gjobitet me 50 për qind të shumës së kontributit të papaguar.

Kur këto kontribute nuk paguhen në organet tatimore tre muaj pas datës së përcaktuar me ligj punëdhënësi kallëzohet penalisht.©Copyright Vox News

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *