Zyrtarisht janë dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër. Informacionet paraprake ishin për katër të vdekur, por nga spitali konfirmohen dy viktima, dy të tjerë janë të plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:00 të kësaj të mërkure në lagjen Dobraç. Deri në këto momente raportohet se një prej viktimave është Hamza Lici. Ndërsa viktima tjetër dyshohet të jetë një kalimtar i rastit.
Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, një personazh tejet i njohur i akuzuar për disa ngjarje kriminale dhe aktualisht i arrestuar në Turqi.
Sa i përket 2 të plagosurve një prej tyre është po kalimtar i rastit. Ndërsa personi tjetër raportohet të jetë Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushati, ish-kandidatit të PD për Bashkinë e Shkodrës më 6 mars të 2022.
32-vjeçari, në fillim të këtij muaji denoncoi në polici se dy persona që lëviznin me motor i kishin drejtuar armën teksa ndodhej në pedonalen e Shkodrës. Lici e Bushati po udhëtonin me makinë kur u qëlluan me breshëri arme.