Sot, më 31 tetor, Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë seancën e radhës plenare, që pritet të nisë në orën 10:00. Në rend të ditës janë disa projektligje për t’u diskutuar.
Mes tyre, do të shqyrtohet projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ndryshimet në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit”. Gjithashtu, do të diskutohet një ndryshim në ligjin “Për fondin kullosor”.
Në seancë do të trajtohet gjithashtu dekreti i kthyer nga presidenti Bajram Begaj për ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Në rend dite janë edhe dy projektvendime: një për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike dhe tjetri për miratimin e strukturës dhe pagave të personelit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.