Nga marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës e Serbisë, njohja nga Izraeli, deri te mospajtimet politike dhe akuzat – janë ngjarjet që shënuan raportet e Kosovës me administratën e kaluar amerikane me në krye Donald Trump, 2016-2020.
Tani që Trump u zgjodh për mandatin e dytë, njohësit politikë në Kosovë dhe të huaj, kanë qëndrime të ndara për ndikimet që kjo administratë do të ketë mbi Kosovën.
Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, është optimist se Trump sjell një “mundësi pozitive për Kosovën dhe rajonin”.
Ndërsa për Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin “as edhe një gjë pozitive” për Ballkanin nuk mund të vijë nga zgjedhja e Trumpit.
Gjatë mandatit të parë të Donald Trump si President i SHBA-së (2016-2020), administrata e tij u përqendrua fuqimisht në atë që e quajti “normalizim ekonomik” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Synimi kryesor, sipas kësaj administrate, ishte që bashkëpunimi ekonomik t’i vendoste “në plan të parë përfitimet e qytetarëve, duke i ulur tensionet politike në rajon”.
I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, luajti një rol kyç në këtë përpjekje, duke theksuar se mungesa e një marrëveshjeje të tillë përbënte një pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.
Në katër vjetët sa president i SHBA-së ishte Trumpi, në Kosovë u ndërruan tre kryeministra: Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Një moment i rëndësishëm i ndërmjetësimit të administratës Trump, në marrëdhëniet Kosovë- Serbi ndodhi më 4 shtator 2020, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, e nënshkruan Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja përfshinte projekte konkrete infrastrukturore si autostrada e Paqes Prishtinë-Merdare dhe një linjë hekurudhore në të njëjtën rrugë, për të lehtësuar lëvizjen dhe tregtinë mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse projekti i autostradës vazhdoi në të dy anët, ai mbetet ende i papërfunduar tërësisht.
Një element tjetër kyç ishte studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, i cili shtrihet në kufirin Kosovë-Serbi.
SHBA-ja e përfundoi këtë studim në qershor të vitit 2021 dhe propozoi një model të përbashkët menaxhimi.
Grenell, madje, sugjeroi që liqeni të riemërohej “Liqeni Trump”, një propozim i cili mori mbështetje nga Hoti dhe zyrtarët serbë, edhe pse pati reagime të përziera nga publiku.
Gjithashtu, Grenell ndërmjetësoi një marrëveshje në janar të vitit 2020 ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe kompanisë gjermane Lufthansa për të krijuar një linjë ajrore direkte Prishtinë-Beograd. Trump e përshkroi këtë si “një tjetër fitore,” por linja ende nuk është realizuar në praktikë.