Banda e Ankandeve 1-euro

Në prokurorinë e Tiranës, po bëhen “qepjet” e fundit të mijëra faqeve prova dhe hetime të dosjes së ashtuquajtur “afera e mikrokreditit”. Hetuesit e BKH dhe SPAK për pak ditë do marrin në duar provat që çuan në “rovinë” financiare mijëra shqiptarë. Disa vranë veten, njëri prej tyre, Pal Trashaj, në formë demonstrative në derën e SPAK, u vetëhelmua.

Në dosjen e stërmadhe të Tiranës, burime nga hetimi konfirmojnë se ka xhevahire të padëgjuara më parë. Hetimet zbuluan bandën e “bolave” brenda bandës së mikrokredive që deri tani ka kaluar 21 emra të përfshirë, disa të arrestuar pak muaj më parë.

Ankandet fiktive për prona të patundshme janë me mijëra. Rigels Bejko, me nofkën “Boli”, është autori që ka mahnitur hetuesit me guximin e tij për të shitur prona. 75 ankande shtëpish i ka bërë në një ditë të vetme nëntori të 2023. 120 ankande të tjera i ka “organizuar” në javën kur bënte pushime në Barcelonë të Spanjës. Janë vërtetuar me dhjetëra ankande fiktive pronash të bëra nga përmbaruesi Bejko, kur ky nuk ishte fare në Shqipëri. Apartamentin e Lavdije Rexhollarit në Pogradec, Bejko e nxori për shitje për 200,000 lekë, ndërsa apartamentin e Elez Delisë në Shkodër për 191,600 lekë. Po në Shkodër, nxorri një apartament për shitje vetëm për 600 mijë lekë të vjetra – tregon burimi.

Kush janë pas bandës së ankandeve “1-euro”?

Hetimi ka zbuluar persona hije në rrjetin e “ankandeve”. Ndërlidhësi i MCA, Kadastrës, “Bolit” të përmbarimit, del se është një trafikant droge i dënuar në vitin 2012, Devis Lushnjari. Me dhjetëra komunikime të këtij të fundit me Olsi Ibron, Arben Meskutin, Dallëndyshe Bicin dhe disa punonjës me rol kyç në Kadastër, hedhin dritë për një organizim mafioz në grabitjen e pronave të shqiptarëve. Linja e “ankandeve” përdorte ‘presta nome’ për të mos dalë vetë në skenë.

Alda Kodra figuron si pronare dhe administratore e TDR Group, zyra që bëri të gjitha ankandet fiktive por që de facto drejtohej nga “punëtori” saj, Devis Lushnjari. Altin Vako, një tjetër ‘presta nome’, është zbuluar me rol të njëjtë në këtë skemë, i urdhëruar në çdo hap nga Devis Lushnjari. Ky i fundit është zbuluar se drejtonte një rrjet emërimesh dhe aferash brenda në Kadastër, ku u përfshi dhe regjistrimi i pronave që shiste fiktivisht Rigels Bejko.

Me dhjetëra aktivitete, prona dhe biznese që dyshohet se janë të Rigels Bejkos dhe Devis Lushnjarit janë vënë në sitë të hetimit, jo vetëm brenda, por dhe jashtë Shqipërisë. Banda e Ankandeve 1-euro dyshohet se përveç punonjësve të Kadastrës dhe ish-drejtueses së saj ka korruptuar edhe punonjës të sistemit të drejtësisë. Hetimet e SPAK pritet të zbardhin shumë më tepër se ato të Prokurorisë Tiranë.
Vijon

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *