Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij në tubim ndaj mbështetësve akuzoi mediat kombëtare që censurojnë opozitën. Berisha tha se mediat kombëtare private dhe publike janë shndërruar në altoparlantë të qeverisë, në institucione të dezinformimit masiv.
Ai shprehet se mediat e censurës kombëtare, mediat e lustrës kombëtare, nuk arrijnë kurrë t’u thonë shqiptarëve të vërtetat e tyre.
“Mediat kombëtare janë shndërruar jo vetëm në censorë kombëtarë, por edhe në prokurorë të qeverisë ndaj kundërshtarëve të saj dhe opozitës.
Mediat kombëtare çdo gjë mund të jenë, por vetëm kombëtare nuk mund të jenë kurrë.
Nuk janë kombëtare mediat që fshehin të vërtetat.
Nuk janë kombëtare mediat që mashtrojnë qytetarët.
Nuk janë kombëtare mediat që i thurin lavde narkodiktaturës, që fshehin krimet e diktatorit, vëllait të tij, familjarëve të tij, ministrave të tij.
Nuk kanë gjë të përbashkët me kombin, por janë hanxharë të fjalës së lirë, janë hanxharë të komunikimit”, tha Berisha.