Ditën e sotme në Komisionin Hetimor Parlamentar për koncesionet në shëndetësi do të jetë sërish Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë, pasi seanca e djeshme zgjati mbi nëntë orë por dështoi për shkak debateve lidhur me prezantimin e fjalës së socialistit.
Ndërkohë që sot anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për Sterilizimin kanë paraqitur dokumentin ku kërkojnë këtë të mërkurë të dëshmojë Edi Rama në cilësinë e Kryeministrit i cili sipas tyre ka firmosur VKM-në për dhënien me koncesion të këtyre shërbimeve duke mbështetur e promovuar publikisht këto koncesione edhe pas fillimit të çështjes penale nga organet e drejtësisë.
Në dokumentin e publikuar kërkohet thirrja si dëshmitare po këtë të mërkurë edhe e Vilma Nushit në cilësinë e pronares së dy kompanive e cila është pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarisë hetimore të këtij Komisioni.
Deputetët e opozitës kërkojnë paraqitjen e Vilma Nushit e cila sipas tyre është përfituese indirekte dhe direkte 1.5 mln Eurove nga dividenti.
“Komisioni është i detyruar që të thërrasë për të dëshmuar para tij, jo vetëm Z. Edi Rama por të gjithë personat për të cilët anëtarët e opozitës, si inicues të këtij Komisioni, kanë kërkuar që të paraqiten e të dëshmojnë”, thuhet në dokumentet e publikuara.