Britania duhet ta mbështesë tregtinë e lirë dhe të rindërtojë lidhjet me Bashkimin Evropian ndërsa ekonomia globale po fragmentohet, tha guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey gjatë një fjalimi të enjten.
Zoti Bailey tha se një angazhim për tregtinë e hapur ishte jetik për të nxitur investimet e dobëta në Britani dhe për të ripërtërirë rritjen e prodhimit, të shoqëruar me zhbllokimin e kapitalit nga bizneset dhe fondet e pensioneve, çka është planifikuar nga Ministrja e Financave Rachel Reeves.
Brexit, largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian në vitin 2020 pas miratimit të referendumit të vitit 2016, kontribuoi në dobësimin e tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe dëmtoi kapacitetet prodhuese të ekonomisë në vend, tha zoti Bailey.
“Si një zyrtar publik, unë nuk mbaj asnjë qëndrim për Brexit-in në vetvete. Kjo është e rëndësishme. Por më duhet të theksoj pasojat”, tha zoti Bailey në fjalimin e tij vjetor në “Mansion House” në Londër drejtuar zyrtarëve të lartë të shërbimeve financiare.
“Kjo nxjerr në pah arsyen se pse duhet të jemi vigjilentë dhe të hapur ndaj mundësive për të rindërtuar marrëdhëniet ndërsa respektojmë vendimin e popullit britanik”.
Ndërsa qeveria e re laburiste ka përjashtuar mundësinë e ribashkimit në tregun e vetëm të BE-së ose bashkimin doganor, Kryeministri Keir Starmer ka thënë se dëshiron të përmirësojë lidhjet tregtare dhe marrëdhëniet diplomatike me bllokun.
Duke folur në takimin e Londrës, Ministrja e Financave Rachel Reeves tha se Britania ka nevojë të “rivendosë” marrëdhëniet e saj me BE-në dhe se ajo gjithashtu priste me padurim që të punonte nga afër me zotin Trump për të forcuar lidhjet tregtare.
Guvernatori Bailey tha se Britania duhet të përqendrohet tek një panoramë më e gjerë për rritjen ekonomike dhe jo vetëm tek ndikimi i largimit nga blloku evropian.
Ndërsa zoti Bailey nuk përmendi drejtpërdrejt zgjedhjet amerikane gjatë fjalimit të tij, politikëbërësit në mbarë botën po shqyrtojnë me imtësi se çfarë nënkupton fitorja e zotit Trump lidhur me tarifat e larta ndaj eksporteve drejt Shteteve të Bashkuara. Shefi i bankës qendrore angleze tha se tarifat mund të kenë efekte të gjera për tregtinë globale dhe inflacionin.
“Parashikimi tani është turbulluar nga ndikimi i ndryshimeve gjeopolitike dhe fragmentimi më i gjerë i ekonomisë botërore”, tha zoti Bailey.
“Mes nevojës së rëndësishme për të qenë vigjilent lidhur me kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, le të kujtojmë rëndësinë e hapjes… Ne duhet të bëjmë atë që mundemi për të ruajtur ekonominë e hapur”, tha zoti Bailey. Ai tha se i mbështet planet e qeverisë për të rritur investimet publike./VOA