Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, një nga degët më të korruptuara të qeverisjes, ka hapur dhjetëra ankande në Vlorë dhe Lezhë, ku nxori në “shitje” një sipërfaqe prej 401.2 hektarë ose 4.012.000 metër katrorë sipërfaqe ujore. Ministria u justifikua se dhënia e kësaj sipërfaqeje bëhet për “akuakulturë”, ose për vaskat e peshkut në mes të detit.
Një ndër zonat që dolën në ankand ishte edhe ajo me nr.7 në Vlorë, me një sipërfaqe prej 38.6 hektarësh. Por, vetëm disa javë pas hapjes së ankandit, kanë filluar sherret dhe përplasjet e mëdha. Ministria ka nxjerrë fituesit e disa prej zonave, ku janë disa firma të reja dhe të vjetra, por për zonën 7 ende s’ka dale fituesi. Shkak është bërë një sherr mes kompanisë që bëri ofertë, ku administratorët ende s’janë dakortësuar për pjesën që u takon.
Madje, një nga aksionerët që është përplasur me ortakët është edhe z. Arian Tartari, ish bashkëjetuesi i deputetes demokrate Albana Vokshi.
Faksimile: Ministria e Bujqësisë ka nxjerr një vendim të ndërmjetëm, ku thotë se do të presë 1 muaj firmën që të dakortësohet
Është një procedurë tepër e dyshimtë e hapur nga Ministria e Bujqësisë me Anila Denaj, e cila vetëm me një të rënë të lapsit iu dha privatëve një pjesë të mirë të sipërfaqes ujore, pronë e patjetërsueshme shtetërore. Ministria ka nxjerrë një vendim të ndërmjetëm, me numër 162, i datës 23.10.2024.
“Në vijim të vendimit nr. 147, datë 7.10.2024 ku është shpallur fitues Bashkimi i operatorëve midis En-Si Adriatik shpk dhe Power-Expo Allestimenti srl dhe shkresës me nr. 6564, protokolluar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural më datë 7.10.2024, Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave, vendosi të marë një vendim të ndërmjetëm duke pezulluar procedurën për një afat prej 30 ditësh nga publikimi i vendimit të ndërmjetëm në Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, deri në zgjidhjen e konfliktit midis ortakëve dhe administratorit të En-Si Adriatik shpk si dhe duke kërkuar përcjelljen, brenda afatit të sipërcituar, e një dokumenti të kryer me akt noterial i cili vërteton shprehjen e vullnetit të të gjithë ortakëve të dy shoqërive, për marrëveshjen e bashkimit të përkohshëm të En-Si Adriatik shpk me Power-Expo Allestimenti srl, si konkurrent i vetëm për zonën nr. 7, në datën 18.9.2024” shkruhet në këtë njoftim të beftë të Ministrisë së Bujqësisë.
Ministria vijon më tej se, në mungesë të përcjelljes së këtij dokumenti, Komisioni do të vijojë me përfundimin e procedurës administrative pa fitues. Pra, ende pa u ndarë pjesa e detit, kanë filluar edhe përplasjet, ku secila firmë do më shumë!
Faksimile: Ortakë në firmën “En Si Adriatik” është edhe kompania e z. Arian Tartari, i cili ka 50 % të aksioneve
Kompania “En Si Adriatik” është themeluar në vitin 2010 dhe operon në Vlorë. Ajo ka si ortakë shtetasit Markeljan Paja (25 %), Ermela Paja (25 %) dhe firmën “SMART -CONSTRUCTION”, e cila ka 50 % të aksioneve. Këta të fundit, i blenë aksionet në muajin dhjetor të vitit 2022, me vlerën e 5.8 milionë lekë.
Sipas dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “SMART -CONSTRUCTION” është themeluar në vitin 2018 dhe ka si pronar me 100 % të aksioneve z. Arian Tartari, i datëlindjes 17 shkurt 1966, në gjendje civile “beqar”.
Z. Tartari është bashkëjetuesi i deputetes demokrate Albana Vokshi dhe pronar i disa kompanive të tjera. Në të kaluarën, Tartari ka pasur disa koncesione në fushën e hidrokarbureve.
Lidhja me Bolin e kokainës
Ish burri i Albana Vokshit, Arian Tartari, doli në skenë si aksioner tek kulla me vlerë investimi dhjetëra milionë euro tek ish Ekspozita, sekuestruar nga SPAK si produkt i aktivitetit kriminal të bolit të kokainës Ervin Mata. Përfshirja e tij fsheh jo vetëm pastrimin e parave të pista, por edhe një histori grabitje, korrupsioni dhe klientelizmi sa partiak aq edhe familjar.
Korrupsioni konsiston tek përvetësimi i një pjese toke shtetërore, mbi të cilën po ndërtohet kulla private, sipas SPAK-ut, me paratë e trafiqeve të kokainës.
Letrat e privatizimit janë kopsitur nga Mimoza Vokshi që prona të kalojë në duart e kunatit Arian Tartari, i cili është burri i motrës së saj Albana Vokshi, për të ngritur këtë kullë që shihni në foto, pas të cilës qëndron edhe hija e Shkëlzen Berishës, përmes Rrahman Selmanllarit.
Ministria e Ekonomisë me në krye Genc Rulin nga viti 2005 deri në vitin 2009 finalizonte me letra tjetërsimin e pasurive publike në favor të klientëve të qeverisë së Sali Berishës dhe sidomos të Familjes së tij, herë me një tarifë të ulët dhe herë pa asnjë qindarkë.
Ruli ka një rol kyç edhe në kalimin e pronës shtetërore ish Klubi Partizani në duart e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, në këtë rast në koordinim me Ridvan Boden, Arben Imamin dhe Xhemal Gjunkshin.
Ministria e Ekonomisë ka kaluar një pjesë të pronës publike tek ish Ekspozita në emër të ish pronarëve të pretenduar, pas të cilëve qëndronin burri i Vokshit me shokun e Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari.
Parakontrata
Disa nga ish pronarët e një pjese të truallit tek ish-ekspozita “Shqiperia Sot” kishin lidhur një parakontratë me kompaninë “Vision Construction”, e cila merrte përsipër procesin e privatizimit edhe të tokës shtetërore, në këmbim të një pjese të truallit për ndërtim.
Bashkëshorti i Albana Vokshit, Arian Tartari, rezulton aksioner me 50 % në kompaninë Vision Construction.
Aksioneri tjetër është ‘vëllai’ i Shkëlzen Berishës në Gërdec dhe në aferat me prona të Familjes, Rrahman Selmanllari.
Është aplikuar e njëjta skemë si ajo e Jamarbër Malltezit, i cili nga trashëgimtar i pretenduar i 113 m2 tokë, arriti të bëhej aksioner deri në 60 % i 19 kullave, duke përdorur pushtetin e vjehrrit kryeministër dhe investuar paratë e pista.
Në rastin konkret, burri i Albana Volshit dhe shoku i Shkëlzenit kanë lidhur një parkontratë me ish pronarët, duke u marrë një pjesë të truallit, në këmbim të angazhimit të tyre tek qeveria Berisha për t’u kthyer jo vetëm pronën e pretenduar, por edhe një pjesë të pronës publike pa një pretendim pronësie.
Parakontrata mes Tartarit dhe ish pronarëve është nënshkruar që në mars të viti 2008, pak kohë para se Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Genc Ruli të niste procesin privatizimit duke prishur në mënyrë të njëanshme kontratat me subjektet qiramarrese në ambientet e Ish-ekspozitës.
Roli i Mimoza Vokshit
Në sfondin e kësaj skeme korrupsioni dhe zhvatje të pasurisë publike shfaqet Mimoza Vokshi, motra e Albana Vokshit, një nga nyjet e shumë privatizimeve korruptive dhe aferave në Ministrinë e Ekonomisë.
Privatizimi u drejtua pikërisht nga Mimoza Vokshi, në atë kohë drejtoreshë në Ministrinë e Ekonomisë.
Mimoza Vokshi është angazhuar si zyrtare e lartë e Ministrisë së Ekonomisë që një pjesë e pronës publike të kalojë në favor të kompanisë së kunatit të saj, Arian Tartari, rrjedhimisht në favor të motrës së saj, Albana Vokshi.
Në atë kohë, Genc Ruli u mbrojt duke theksuar se po kthehej prona tek ish pronarët.“Ligji kërkon shprehimisht dhe detyrimisht që prona t’u kthehet ish-pronarëve, ose përparësinë që kanë ish-pronarët në blerjet e pronave që ngrihen mbi truallin e tyre që kanë zotëruar”, thoshte Ruli.
Por, ka një fakt që rrëzon Rulin. Në dokumentet e privatizimit është vendosur çmim për pronën. Çmimi ishte vendosur 42 mijë lekë për m2.
Nëse kishim të bënim me një proces të kthimit të pronës tek ish pronari, nuk kishte pse ministria t’i vendoste tarifë dhe të shiste pronën publike.
Në çdo rast kthimi i pronës tek ish pronari është bërë dhe bëhet edhe sot pa pagesë.
Çmimi është vendosur pasi është shitur një pjesë e pronës publike me çmim më të ulët se sa vlera reale (62 mijë lekë për m2) në favor të burrit të Albana Vokshit dhe mëkëmbësit të Shkëlzen Berishës për të ndërtuar kullën me paratë e Ervin Matës.
Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me konflikt intetesi dhe pastrim parash, por me një skemë të qartë korruptive me produkt përvetësimin e pasurisë publike nga motrat Mimoza dhe Albana Vokshi.
SPAK para provës
Në vitin 2008, Partia Socialiste denoncoi publikisht skemën e korrupsionit dhe përdorimin e pushtetit nga Sali Berisha për të pasuruar oborrtarët e partisë së tij.
Por, Prokuroria në ato vite Prokuroria nuk guxonte të regjistronte qoftë edhe formalisht një procedim penal për korrupsionin e qeverisë Berisha.
Mbetet për t’u parë nëse SPAK-u, pas kërkesës për sekustrimin e kullës së burrit të Albana Vokshit, bolit të kokainës dhe shokut të Shkëlzenit, do të zgjerojë hetimet tek skema e privatizimit të truallit.
Afera me puset e naftës
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, është përfituese e pasurive publike, përmes burrit (jo me letra) Arian Tartari.
Në shkurt të vitit 2009, ministri i Ekonomisë dhe Energjitkës në atë kohë Genc Ruli firmosi një kontratë koncensionare me kompanitë AlbaEnergia Plus, Impuls 95 sha, Pacific Petroleum Albania shpk dhe Art Construction shpk për ndërtimin e 6 hidrocentraleve mbi lumin Kardhiq, Qarku Gjirokastër.
Përfaqësues i grupit të kompanive rezulton Arian Tartari, i cili është edhe bashkëpronar.
Ishte koha kur lejet për të ndërtuar HEC-e në çdo lum dhe përrua të Shqipërisë shiteshin edhe te ‘Dollari’, para Bankës së Shqipërisë, aty ku këmbeheshin para dhe shiteshin ora të vjedhura.
Një pjesë e hidrocentraleve u ndanë edhe për deputetë të PD, shokë të Shkëlzenit dhe Argitës, oborrtarë të pushtetit, sekserë etj., të cilët më pas i shisnin dorë më dorë derisa përfundonin HEC-et te ‘Dollari’.
Arian Tartari është babai i fëmijëve të Albana Vokshit, e cilësuar nga kryeministri Edi Rama si “Pamela” e PD-së, duke kujtuar kështu ngjashmërinë me aktoren Pamela Anderson.
Nuk dihet rreth raportit në çift, por nëse i referohemi sistemit TIMS, deputetja demokrate e linjës së Foltores dhe Arian Tartari, udhëtojnë shpesh bashkë jashtë vendit, tregues ky i vijimit të bashkëjetesës.
U ndalëm tek ky raport sepse zonja Vokshi nuk e ka deklaruar kurrë pasurinë e babait të fëmijëve të saj në ILDKPKI, siç e parashikon ligji. Ky fakt mund të shërbejë si indicie për SPAK për të bërë një vlerësim nëse Vokshi ka komsumuar veprat penale të refuzimit për deklarim dhe fshehje të pasurisë.
Skema mafioze
Albana Vokshi, përmes bashkëjetuesit Arian Tartari, është përfituese e koncensioneve të naftës dhe e pronave publike në Tiranë, mbi të cilat Arian Tartarj po ndërton kulla të sekuestruara nga SPAK-ut si produkt i parave të kokainës.
Këtu nuk kemi të bëjmë më me indicie për SPAK-un, por me një doste të kopsitur korrupsioni, shpërdorimi dhe pastrimi parash, e pandëshkuar nga drejtësia.
Në vitin 2007, qeveria e Sali Berishës i japin kompanisë Stream-Oil koncesionin e dytë më të madh të naftës në vend, zonat e Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Gorisht-Kocul.
Kompania Stream-Oil ishte themeluar në ishujt Cayman, pra kompani offshore, për të mbuluar pronarin përfitues.
Përfqësuesi i kompanisë në zyrat qendrore të Kanadasë ishte një shtetas grek i quajtur Sotirios Kapotas.
Në Tiranë, interesat e kësaj kompanie i përfaqësonte Arian Tartari, bashkëjetuesi i Albana Vokshit, një biznesmen i favorizuar nga qeveria Berisha, edhe pse në fakt kompanitë e tij nuk ishin serioze, pasi nuk kanë zbatuar qoftë edhe një kontratë apo bërë ndonjë punë.
Dyshja Tartari-Kapotas lëvizte fijet e këtij koncesioni të rëndësishëm në Tiranë, një biznes që si rregull duhej të prodhonte fitime të majme për kompaninë dhe për shtetin shqiptar.
Por, si në shumë koncensione që ka bitisur qeveria Berisha, por edhe Rilindja pas 2013, edhe ky koncension krijoi një tjetër gropë në ekonomi, por duket se shërbeu për evazion fiskal, pastrim parash, zhvatje dhe pasurim të ‘burrit’ të Pamelës në dëm të interesit publik.
Në vitin 2013, borxhi që kjo kompani i kishte institucioneve shtetërore, arrinte në shifrën e 35 milionë dollarë.
Një kronikë e Top-Channel e muajit nëntor 2013, zbulon se qeveria rilindëse e sapoardhur në atë kohë, po përgatiste konfiskimin e kompanisë së drejtuar nga Tartari-Kapotas, për shkak të borxheve dhe shmangies së taksave.
Plot 11 zyrtarë të Albpetrol u shkarkuan nga puna pse kishin lejuar abuzimet e Stream-Oil më vlerë 35 milionë dollarë, por dyshja Tartari-Kapotas ishte e shkathët.
Ata arritën të shmangin konfiskimin e kompanisë Stream-Oil si dhe t’ja shisnin një vit më vonë kompaninë një koncorciumi turko-amerikan.
Këta të fundit, kur mësuan gjendjen e kompanisë dhe bllokimin total nga borxhet, vendosën ta rishisnin në një tjetër kompani në vitin 2016, por këtu ndërhyri Ministria e Energjisë e cila e konfiskoi kompaninë Stream Oil, shtetëzoi vendburimet e naftës.
Tre vite vonesë ishin të mjaftueshme që dyshja Tartari-Kapotas të largonin “bombën me sahat” nga dora e tyre dhe të dilnin pa lagur nga një skemë spekulimi, që i shkaktoi shtetit shqiptar 35 milionë dollarë evazion fiskal. Autorët e evazionit nuk u gjurmuan dhe as u hetuan ndonjëherë.
Përkundrazi, u rikthyer me ide të qarta për ta privatizuar për së dyti këtë koncesion.
Në vitin 2018, qeveria shqiptare vendosi që të hedhë sërish në treg vendburimet e konfiskuara nga koncesionari Stream Oil.
Procedura nxori fituese kompaninë “Terraoil Swiss”, në një garë ku merrnin pjesë afro 7 kompani.
Disa muaj pas shpalljes së fituesit, njëra prej kompanive pjesëmarrëse në garë e quajtur “Letho Resources Corp” paditi në Prill 2019 Gjykatën Administrative të Vlorës Albpetrolin dhe Ministrinë e Energjisë për shkelje të rregullave të tenderit.
Dy muaj më vonë, në Qershor 2019, gjykatësi i Vlorës Astrit Shema, pezullon tenderin dhe e quajti të pavlefshëm duke i dhënë të drejtë ankimuesit.
Pas këtij vendimi, kompania fituese “Terraoil Swiss” e apeloi vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë.
Hashtag.al zbuloi se pas kompanisë paditëse “Letho Resources Corp”, fshiheshin pikërisht ata… dyshja e famshme Kapotas-Tartari.
Kompania “Letho Resources Corp” ka deklaruar si adresë të sajën në Tiranë:
“Rruga Ismail Qemali, kulla ‘Samos Tower’, kati V”.
Kjo është adresa e zyrave të Arian Tartarit në Tiranë, në zonën e ish-bllokut, zyra që Tartari i ka sot e kësaj dite, e ndërsa dikur në këtë adresë ishin dhe zyrat e koncesionarit “Stream Oil”.
Eksplorimi i të dhënave financiare të kompanisë “Letho Resources Corp”, zbuloi se kjo kompani e Kapotas-Tartari, ka hyrë në marrëdhënie kreditimi me një grup interesi pranë Rilindjes.
Sipas të dhënave që kanë deklaruar në Kanada, kompania “Letho Resources Corp” ka kredituar me disa qindra mijëra dollarë kompaninë “Anio Oil&Gas”, e cila ka marrë në administrim fushën e naftës në Ballsh-Hekal, kjo fushë dikur i përkiste koncesionit të “Stream Oil”.
Ndonëse në bilancet në Kanada kompania “Letho Resources Corp” e Kapotas-Tartari ka deklaruar buxhet modest, ajo nga ana tjetër deklaron se ka kredituar kompaninë e“Anio Oil&Gas”.