Eliona Kodra Shkreli, anëtare e Këshillit Bashkiak të PD-së në Shkodër nisur nga ngjarjet e fundit kriminale në kryeqendrën e veriut, por jo vetëm, shprehet se Policia e shtetit është dorëzuar përballë krimit. Kritikon qeverinë për premtimet që nuk ka mbajtur nisur nga pagesa për orët e natës për efektivët e policisë. A mund të luftohet krimi me punonjës policie që përdhosen nga shefat e tyre dhe nuk marrin shpërblimin e premtuar nga qeveria? Pyet, Kodra, duke theksuar se sektori më i keqtrajtuar dhe më i keqpërdorur nga kjo qeveri është policia e shtetit.
“Qeveria krekoset për rritje të buxhetit për pagat e vartësve të saj, por në fakt gjithçka është një propagandë e dështuar dhe e shëmtuar mediatike, pasi realiteti është krejt ndryshe. Pasi i shfrytëzon në maksimum punonjësit e administratës shtetërore, nuk u jep atyre ato ç’ka premton publikisht. Një qeveri që nuk respekton vendimet që vetë i merr e ndërkohë ministrat dhe zyrtarët e lartë ‘zhyten’ në luks që kalon edhe kufinjtë e shfrenimit.
Krimi në vënd po njeh rritje, bandat nuk marrin më parasysh nëse është ditë apo natë, nëse ka kalimtarë apo jo. Arma shkrepet pa mëshirë dhe larja e hesapeve sot nuk kursen as të pafajshëm. Tashmë edhe të miturit vrasin sepse shkolla është kthyer në një institucion ku ‘ligjin’ e bëjnë nxënësit ndërsa mësuesit janë thjesht zbatues reformash të ministrave të paaftë që mësuesit i kanë hequr çdo tagër edukativ dhe disiplinor duke e kthyer në një robot mësimdhënës.
Policia e shtetit është dorëzuar përballë krimit….E si mund të luftohet krimi kur uniformave blu ky shtet fasadë nuk i paguan orët shtesë që nga muaji gusht? Gjithashtu kjo qeveri e premtimeve të pambajtura nuk paguan as orët e natës për efektivët e policisë ndonëse ka marrë një vendim që për orët të natës (22.00-06.00) t’i paguajë efektivëve 50% të pagës, ndërsa për oraret e pasdites (19.00-22.00) t’i paguajë shtesë 20% të pagës mujore.
A mund të luftohet krimi me punonjës policie që përdhosen nga shefat e tyre dhe nuk marrin shpërblimin e premtuar nga qeveria? Sektori më i keqtrajtuar dhe më i keqpërdorur nga kjo qeveri është policia e shtetit e cila jo vetëm që nuk paguhet në bazë të vendimeve që merr por shfrytëzohet si patericë e qeverisë sipas interesave të saj” mbyllet postimi.