Pas Durrësit, mafia e plehrave fut në ‘projekt’ edhe Kavajën/ Klodian Zoto i Inceneratorit, po i pret si ‘huta’ mbeturinat, deri sa të dekompozohen  

Nuk është vetëm në Europë një biznes me leverdi ku zakonisht mafia vjel frytet e punës… Tashmë mbeturinat apo plehrat urbane janë bërë “pjata” e preferuar edhe e mafies shqiptare që nisur nga zhvillimet e dy bashkive të fundit, duket se po sofistikohet në lojën e saj.

Pas Durrësit ku rrezikon seriozisht kolera, edhe Kavaja një tjetër bashki pranë Tiranës duket se është futur “në hartën” e projekteve të mafies së inceneratorëve që në vitet e fundit nuk ka pyetur as më denoncime në media dhe as për drejtësi dhe SPAK.

Madje as denoncimet nga opozita nuk i kanë futur asnjë gjemb në këmbë kompanive të inceneratorëve, që duke e pasur punën “vaj” me qeverinë, kanë nisur që të përshtasin gjithë terrenin për të furnizuar me “lëndë të parë” impiantet e diegies së plehrave që duhet thënë se janë bërë me milionat e taksapaguesve shqiptarë.

E pra, duket se “Integrated Energy B.V.” e “bosit” të plehrave Klodian Zoto, ka filluar sulmin edhe në Kavajë, bashki e cila nuk ka lidhur ende kontratë me koncesionarin.

Prej disa ditësh, plehrat e grumbulluara nga kompanitë private të kontraktuara nga bashkia, hedhin mbeturinat andej këndej, sidomos pranë zonave turistike (qëllimisht) dhe ato mandej digjen nga persona të paidentifikuar.

Loja me djegien e plehrave

Zyrtarisht nuk ka ende një autor dhe një motiv për djegien dhe ndotjen që po i shkaktohet qytetit të Kavajës njësoj si dhe Durrësit, si dhe zonave më të frekuentuara nga turistët,

Nuk dihet se përse kompanitë e mbledhjes së mbeturinave me automjetet e tyre i shkarkojnë plehrat pikërisht pranë zonave turistike, ku më pas dikush tjetër shkon e un vë zjarrin, por pamjet e katastrofës mjedisore që të ofron Plazhi i Spilles dhe i Gjeneralit në mes të sezonit turistik, lë shumë për të dëshiruar.

Mbetjet urbane janë rikthyer prej disa ditësh shqetësim për banorët e Spillesë, pasi persona të paautorizuar kanë djegur grumbujt e plehrave, duke mbytur zonën me tym dhe erë të keqe. Ky akt vandal, i cili ende nuk ka një autor të identifikuar, vjen vetëm pak ditë pas ngritjes së të njëjtin shqetësim në qytetin e Durrësit dhe të Peqinit, ku ngrihen dyshime se gjithçka lidhet me aktivitetin e mafies së plehrave.

Zjarrfikësja shkon çdo ditë pranë këtij vendgrumbullimi për të shuar zjarrin, por ai rindizet sërish dhe për vënien e zjarreve përdoret benzinë. Kjo ka shqetësuar banorët e zonës përreth, por edhe të qytetit, i cili gdhihet çdo ditë me tymin dhe erën e keqe nga landfilli. Banorët e zonave shprehen se kjo do të jetë lojë e pushtetit, por që druhen për të folur publikisht.

Ligji parashikon se të gjitha mbetjet duhet të seleksionohen, në mënyrë që të ndahen në të riciklueshme dhe ato për trajtim të posaçëm, dhe në këtë rast Policia duhet të ndërhyjë, duke ndëshkuar me procedime penale ata që e shkelin ligjin apo nuk e zbatojnë atë.

Hedhja e mbetjeve në këto vendgrumbullime të paligjshme, jo vetëm që largon turistët, apo shkakton dëme dhe vendos në rrezik shëndetin e banorëve.

Situata që po krijohen në bashki të ndryshme, duket më shumë si një lojë e vetë pushtetit vendor për të marrë vendime nën trysninë e pagesave të majme, me qëllim lidhjen e kontratave me inceneratorët.

Deri tani në të gjitha rastet e denoncuara bashkitë përkatëse nuk kanë kontrata për depozitimin e mbetjeve në incinerator.

Pse pas Durrësit, Peqinit dhe Rrogozhinës, erdhi Kavaja

Pas emergjencës disa ditore në Durrës, në qendër të vëmendjes tani është Kavaja. Rreth 40 ton mbeturina depozitohen dhe digjen çdo ditë në kodrën e fshatin Kazie mes zonës së plazhit në Spille dhe plazhit të Gjeneralit, tani në pikun e sezonit turistik.

Janë operatoret turistikë dhe banorët e fshatrave përreth, të cilët kanë ngritur alarmin lidhur me situatën e rëndë mjedisore, si pasojë e ndotjes që shkakton djegia e mbetjeve urbane.

Në fshatin Kazie, duket nga larg tymi i djegies së mbetjeve urbane, ndërsa era e keqe është shumë shqetësuese për turistët dhe banorët e zonës. Një krim mjedisor me përmasa të tilla, mbart një rrezik të lartë për banorët e zonës, por edhe për turistet ndërkohë që nuk ka një kontroll nga efektivët e Task-Forcës.

Bashkia e Kavajës deri tani nuk ka asnjë reagim për këtë situatë në zonat bregdetare në pikun e sezonit turistik.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *