Kryetarja e përkohshme e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjatë një konference, ajo theksoi rëndësinë e denoncimit të krimeve për të siguruar akses në proceset gjyqësore dhe inkurajoi mbështetje për mekanizmat e mbrojtjes së denoncuesve.
“Ajo që është e rëndësishme është të garantojmë që kemi akses publik te proceset gjyqësore. Një nga fushatat ku kemi punuar fuqishëm me shoqërinë civile në çështjet e antikorrupsionit është platforma e detyrueshme e sinjalizimit administrativ për të inkurajuar për të pasur procedurat standarde të operimit, mekanizmat mbrojtës. Nuk ka vlerë nëse njerëzit denoncojnë krimin e organizuar dhe çështjet nuk shkojnë kurrë në gjykatë”, tha ajo.
Pasztory shprehu optimizëm për aftësinë e SPAK për të përballuar këto fenomene, duke theksuar se përpjekjet janë serioze dhe të dukshme në krahasim me vitet e kaluara.
“Shqipëria po shënon përparim në këto fusha”. “E kam njohur Shqipërinë në 30 vite, dhe në saj të SPAK ka përpjekje serioze për t’i dhënë fund disa sjelljeve që para disa viteve konsideroheshin normale”, u shpreh Pasztory.