Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali është takuar me homologen çeke Markéta Pekarová Adamová dhe ka njoftuar se Shqipëria ka filluar përgatitjet për Konferencën e Tretë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Spiropali ka shprehur mirënjohjen Republikës Çeke për mbështetjen e palëkundur, entuziaste dhe parimore ndaj rrugëtimit të integrimit evropian. Ajo ka deklaruar se aspirata për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian brenda 2030 është si ambicioze ashtu edhe e realizueshme.
“Me kolegen Adamová shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në kuadrin e Procesit të Berlinit, ku Shqipëria me krenari ka luajtur një rol drejtues. Ne gjithashtu presim me padurim mbledhjen e ardhshme të Komunitetit Politik Evropian, e cila do të zhvillohet në Tiranë gjatë vitit 2025, si një moment tjetër për të treguar angazhimin tonë të përbashkët ndaj unitetit evropian. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona vijon të rritet dhe diskutuam mënyrat për të çliruar potencial të mëtejshëm në fusha si transporti ajror, arsimi, kultura, shkenca e të tjera. Këto partneritete nuk kanë të bëjnë vetëm me tregtinë, por dhe me krijimin e mundësive për qytetarët tanë dhe ndërtimin e të ardhmes të përcaktuar nga inovacioni dhe bashkëpunimi.”, ka thënë Spiropali.
Në fund të takimit ata kanë theksuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.