Dosja / Gjyqtarja Pajtime Fetah i raporton Suel Çelës: Zemra e motrës gjyqi sot shkoi mirë. Sueli: Ma hiq Tomorr Kullollin nga dosja ime, dua Enkeleidën, liro Klemend Xhaferrin nga burgu

Dosja e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan, ku të përfshirë janë gjyqtarë, ish gjyqtarë, drejtues policie, biznesmenë, killera, ushtarë dhe njerëz të medias, tregon se si gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetah punonte për grupin e Suel Çelës.

Madje, gjyqtarja raportonte në darkë tek Suel Çela për ecurinë e proceseve gjyqësore ndaj tij dhe anëtarëve të bandës, ku zonja Fetah ishte angazhuar për t’i mbyllur. Si urë lidhëse mes gjyqtares dhe grupit të Suel Çelës shërbente vajza e saj, Megi Fetah.

Në korrik të vitit 2020, gjyqtarja Pajtime Fetah i raporton Marjus Lulajt allias Suel Çela mbi ecurinë e një gjyqi ndaj njërit prej anëtarëve të grupit kriminal.

Gjyqtarja Fetah i drejtohet Suel Çelës ‘zemra e motrës’ dhe e informon se ‘si fillim gjyqi sot shkoi shumë mirë’.

Në vijim gjyqtarja i kërkon Suel Çelës mendim pasi dikush e kishte sinjalizuar se në emisionin Stop do të publikohej një video korrupsioni për të. Sueli e qetëson duke i thënë se këto janë pallavra dhe se nuk duhet të shqetësohet për përralla të tilla.

Në vijim Suel Çela i kërkon Pajtime Fetah që të zgjedhë gjyqtarin që ai preferon për gjykimin e një çështje në ngarkim të tij. Sueli i kërkon Pajtime Fetah që të heqë dosjen e tij penale nga duart e gjyqtarit Tomorr Kullolli, pasi nuk e kishte nën kontroll dhe të caktojë në vend të tij gjyqtare Enkeledën, përmes kryetarit të Gjykatës Elbasan, Zihni Shahu.

Besohet se Suel Çela i referohet gjyqtares së ‘Tik-tokut’ Enkeleda Kapedani, e cila për disa ditë me radhë ‘pushtoi’ mediat dhe rrjetet sociale në vitin 2021 dhe vuri në lëvizje institucionet e drejtësisë për shkak të publikimit të disa videove, ku shfaqej duke bërë sfilatë dhe modelig në shkelje të kodit të etikës nga zyra e gjykatës.

Në vijim Suel Çela i kërkon gjyqtares Pajtime Fetah që të lirojë nga burgu përmes amnistisë shtetasin Klememd Xhaferri, duke shtuar se për këtë çështje do të fliste edhe me prokurorin për të koordinuar veprimet.

Klement Xhaferri, anëtar i grupit të Suel Çelës, rezulton se ka dalë nga burgu, por u shpall në kërkim në në lidhje me krimin e rëndë që ndodhi në Elbasan para 25 Prillit, ku u vra me armë zjarri Pjerin Xhuvani. Është raportuar se Xhaferri ka vënë pistoletën në kokë nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit për Rendin, Nikollaq Palla. Klement Xhaferri është denoncuar publikisht mbrëmjen nga gazetarja e kronikës Klodiana Lala se e ka kërcënuar përmes telefonit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *