Për të pestën ditë radhazi, rreth 250 punonjës të fasonerisë në Vlorë po protestojnë për kushte më të mira pune dhe për përmbushjen e kërkesave të tyre.
Ata kanë denoncuar faktin që nuk po paguhen sigurimet shoqërore dhe përjetojnë vonesa të pagave. Disa prej protestuesve kanë shpërndarë ankesat e tyre për trajtim të padrejtë, duke theksuar se disa punonjës janë pa siguracione për deri në 8 muaj.
‘Duam punë këtu. Nuk duam të ikim në Nartë. Sepse kemi halle, kemi probleme, kemi pleq në shtëpi dhe nuk mundemi. Janë afër qytetit dhe e duam punën këtu, nuk e duam në Nartë. Duam të gjitha të paguara’, thotë një punonjëse.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të siguruar një trajtim të drejtë dhe përmirësim të kushteve në punë, përfshirë pagesa të plota dhe rregullim të kontratave të punës. Protestuesit janë të vendosur të qëndrojnë në protestë deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre.