Partia e Lirisë protestoi sot para SPAK-ut për lirimin e Ilir Metës. Avokati Genc Gjokutaj ka kallëzuar tre nga efektivët e policisë që arrestuan Metën më 21 tetor, pranë Kthesës së Kamzës. Partia e Lirisë i akuzon tre efektivët për “shpërdorim detyre” dhe “veprime arbitrare”. Sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzoi SPAK si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.
“SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershme patriotë për barazi para ligjit. Jemi sot këtu, sepse SPAK-u është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar në Europë dhe në botë.
SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral. Duke qenë shërbëtori i Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve. SPAK-u është mbrojtësi më i madh i parave të pista, mbyll sytë para kullave të drogës dhe investimeve me para të pista që janë pak metra larg godinës. Është mbrojtës i korrupsionit shtetëror.
Është ky Altin Dumani që shkul një fshat të tërë për ta hetuar për një autokombajnë pa leje. Është një institucion mashtrues e montues procesesh të rreme me zero fakte e dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës vetëm për llogari të narkomafies.
Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, lirive, dinitetit njerëzor të çdo shqiptari. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës” tha ai. Në protestë mungoi Monika Kryemadhi, por edhe Sali Berisha.