Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka uruar Altin Dumanin, kreun e SPAK, pasi ai u shpall kampion i luftës kundër korrupsionit për vitin 2024. Ky çmim nderon guximin, integritetin dhe përkushtimin e Dumanit në ndjekjen e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Në reagimin e ambasadës, theksohet se puna e Dumanit është një frymëzim për ata që besojnë në fuqinë e së vërtetës dhe llogaridhënies.
“Ambasada e SHBA i shpreh urimet Altin Dumanit për vlerësimin me Çmimin për Kampionët Kundër Korrupsionit për vitin 2024 në vlerësim të përpjekjeve të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit. Ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin tuaj të palëkundur në ndjekjen e drejtësisë në emër të popullit shqiptar. Puna juaj frymëzon të gjithë ata që besojnë në fuqinë e së vërtetës dhe llogaridhënies. Ambasada e SHBA do të vazhdojë të punojë me ju, me SPAK dhe me të gjithë institucionet e drejtësisë për të bërë realitet barazinë përpara ligjit për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.”, thuhet në reagim.