Gjykata anulon ndërtimin e 4 HEC-ve mbi lumin Shushica

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të mërkurën më 11 dhjetor të pranojë kërkesën e 28 banorëve të fshatit Brataj dhe dy shoqatave “Eco Albania” dhe “Impetus”, për shfuqizimin e akteve lidhur me planifikimin e ndërtimit të katër hidrocentraleve mbi lumin Shushica.

Ndërkohë, një tjetër padi kundër projektit të ujësjellësit të Himarës që parashikon devijimin e burimit kryesor të lumit Shushica, po shqyrtohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë. Shushica është një nga dy lumenjtë tributarë të lumit Vjosa, që në mars të vitit 2023 u shpall park kombëtar.

Beteja ligjore për Shushicën filloi rreth tre vjet më parë. Banorët e luginës së Shushicës së bashku me “EcoAlbania” dhe shoqatën “Impetus”, të përfaqësuar nga avokatët Irena Dule e Dorian Matlija, kundërshtuan që në fillim vendimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, MIE për miratimin e kontratës dhe lejes mjedisore për projektin e ndërtimit të HEC-ve, në përfitim të shoqërisë “Shushica Hydropower”. Kjo e fundit dhe Avokatura e Shtetit ishin pjesë e këtij procesi.

Vendimi që u dha të drejtë banorëve dhe shoqatave që dolën në mbrojte të lumit Shushica, u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bezart Kaçkini dhe anëtarë gjyqtarët Ramiz Lala e Selvie Gjoçaj.

Kryesuesi Kaçkini shpalli vendimin dhe një përmbledhje të argumenteve. Fillimisht ai u shpreh se gjykata shtroi në shqyrtim disa çështje gjatë vendimarrjes, ku e para ishte legjitimiteti i paditësve, që sipas tij, në kushtet kur procesi vijoi, banorët e fshatit Brataj dhe dy shoqatat janë konsideruar si legjitime në kërkimin e tyre.

Kaçkini tha se të 28 banorët e fshatit Brataj kanë interes aktiv në këtë gjykim, pasi jo vetëm se kanë interesin material, por dhe atë shpirtëror e moral. “Shushica është degë e Lumit Vjosa që është park kombëtar. Paditësit, edhe nëse nuk do të jetonin aty, sërish do të kishin legjitimitet për të ngritur padinë sepse kemi të bëjmë me një park kombëtar”, tha ndër të tjera Kaçkini dhe shtoi se edhe shoqatat legjitimohen pasi rezulton të kenë interes aktiv me angazhimin e tyre në çështjet mjedisore.

Sipas gjyqtarit Kaçkini, është çmuar se padia është e bazuar në prova dhe në ligj e duhet pranuar. Kjo vendimmarrje sjell anulimin e vendimit të ndikimit në mjedis të AKM-së, si dhe të kontratës koncensionare të Ministrisë së Infrastrukturës, që në 2017-ën destinoi për 35 vjet përdorimin e ujërave të lumit Shushica për prodhim energjie.

Banorët e fshatrave që shtrohen përgjatë luginës së lumit Shushica kanë protestuar dhe bërë peticione në mënyrë vijuese kundër ndërtimit të katër HEC-ve dhe ndaj projektit të ujësjellësit të Himarës./BIRN

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *