Arben Kraja: Ndëshkime ndaj zyrtarëve që abuzojnë me fondet publike!

Gjatë konferencës mbi Sfidat në luftën kundër korrupsionit, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, dhe kryeprokurori Kombëtar kundër Korrupsionit (DNA) të Rumanisë, Crin Bologa, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Arben Kraja, ka paralajmëruar ndëshkime të zyrtarëve në nivel qendror apo lokal, që abuzojnë me fondet publike. “Shumë shpejt do kemi rezultate konkrete”, bëri me dije Kraja.

“Kërkohet më shumë të kemi produkt në raport me evidentimin e shkeljeve në shpërdorimin e fondeve publike, qoftë në nivel lokal apo qendror. Kuptohet, bëhet fjalë për zyrtarë të përfshirë që në mënyrë abuzive shkelin ligjin. Kjo është përparësi jona pa diskutim që përditë e shpejt do kemi dhe rezultate konkrete që do i bëjmë publike, por me rëndësi është që struktura është e vendosur për qëllimin që është krijuar dhe ka vullnetin për të bashkëpunuar për ta realizuar qëllimin e përbashkët”, u shpreh ai.

Operacioni `Shpirti`

Në fjalën e tij, Kraja iu referua edhe operacionit “Shpirti”, ku nga përgjimet e Antimafias italiane, rezultuan të përfshirë në trafik droge edhe shumë zyrtarë të shtetit shqiptar.

Ai tha se mosndëshkueshmëria, ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të sistemit dhe tani po shohim edhe përfshirje të prokurorëve e gjyqtarëve në veprime në shkelje të ligjit.

“Mosndëshkueshmëria, nga ka ardhur? Nga mosfunksionimi i sistemit, që do të thotë mosfunksionim në Prokurori e Gjykatë, që s’kanë dhënë atë që duhet të jepnin, vendimin për persona që shkelin ligjin, e tani po e shohim përditë kur prokurorë e gjyqtarë konstatohen të përfshirë në vepra në shkelje të ligjit e ndonjëherë dhe me situata që lidhen me krimin e organizuar apo situata të tjera”, vijoi kreu i SPAK-ut në vijim të fjalës së tij para ambasadorit Soreca dhe përfaqësuesve të tjerë të Lartë.

Arben Kraja tha se tani duhet të ketë një vijë ndarëse mes atyre që duan të bëjnë punën siç duhet në organet e drejtësisë shqiptare dhe atyre që nuk do ta bëjnë këtë.

“Jo se ne kemi pasur prioritet që të merremi me sistemin, por është mekanizëm që duhet ta bëjnë të gjithë, ndëshkueshmëria e tyre që s’kanë ushtruar detyrën duhet të jetë vijë ndarëse për të gjithë të tjerët që janë në sistem. Ose duhet të jemi të gjithë bashkë, ose ata që dalin kundër do marrin përgjegjësinë për atë që bëjnë”, tha ai.

Kraja foli edhe për konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Kryeprokurori: Kemi çuar në Gjykatë 2 kryeministra dhe mbi 20 ministra

Kryeprokurori Kombëtar kundër Korrupsionit (DNA) të Rumanisë, Crin Bologa, gjatë një konference krah ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ambasadorit të BEsë, Luigi Soreca, tha se kanë dërguar në Gjykatë dy kryeministra, 80 deputetë, dhjetëra kryetarë bashkish dhe mbi 20 ministra.

Teksa përmendin rastin e Rumanisë, ai tha se këto rezultate nuk mund të arrihen pa pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe specializimin e prokurorëve.

“Duhet të ruajmë prestigjin e institucionit. Pavarësish faktit që çojmë para Gjykatës disa persona, është shumë i rëndësishëm dënimi. Është shumë e rëndësishme që të marrim mbrapsht dëmet që kanë bërë krimet. Në periudhën 2017-2019 Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion kaloi periudhën më të vështirë të saj.

Raporti i fundit i mekanizmit të bashkëpunimit Prokuroria në Rumani vazhdon të luftoje korrupsionin dhe krimin. DNA-ja ka dërguar në Gjykatë 2 kryeministra, më shumë se 20 ministra, më shumë se 80 parlamentarë dhe senatorë dhe u dënuan mbi 100 magjistratë. Pavarësia dhe infrastruktura janë shumë të rëndësishme në punën tonë. Këtë kemi vërejtur ne. Po ashtu, duhet të specializohen prokurorët për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë”, tha ai.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *